Është diçka shumë e zakonshme, por kur të ndodh ty, të duket sikur po çmendesh pak: fle krejt në rregull me faktin që lidhja ka mbaruar, dhe zgjohesh e hutuar, pak e trishtuar, sepse gjithë natën ke parë ëndrra me ish-partnerin.

Sipas specialistëve të ëndrrave, kjo është normale. Një njeri që e ke dashur dhe ka pasur peshë në jetën tënde mund të shfaqet në ëndrra edhe shumë kohë pasi gjithçka ka mbaruar. Dhe kjo, shpesh, nuk do të thotë që ti “e do akoma” apo që brenda vetes po kërkon të rikthehesh. Mund të jetë thjesht mënyra si mendja po përpunon emocione të reja, ngjarje të sotme, ose pasiguri që s’kanë domosdoshmërisht lidhje direkte me atë person.

Pse shohim ëndrra
Edhe studiuesit nuk bien gjithmonë dakord për një shpjegim të vetëm. Disa e shohin ëndrrën si pjesë të proceseve biologjike të gjumit, si konsolidimi i kujtimeve dhe rregullimi i disa funksioneve të trupit. Të tjerë mendojnë se ëndrrat janë më shumë një “efekt anësor” i asaj që trupi duhet të bëjë gjatë gjumit.

Por ka edhe një ide tjetër praktike: ëndrrat e rrisin intensitetin e emocioneve dhe të imazheve, ulin kontrollin e logjikës dhe na lejojnë të mendojmë jashtë kornizës. Prandaj, në ëndrra shpesh “zgjidhim” ose rishohim problematika që në jetë të zgjuar nuk i prekim dot aq lirshëm. Me pak fjalë, ëndrrat merren me frikërat, shpresat dhe tensionet tona, dhe shpesh janë përpjekje për të kuptuar diçka që po na ndodh realisht.

A është normale të ëndërrosh për një ish
Po. Për shumicën e njerëzve është e zakonshme. Një ish partner ka qenë person i rëndësishëm në një periudhë të jetës, dhe njerëzit me të cilët kemi kaluar shumë kohë, apo kemi pasur lidhje të forta emocionale, mbeten “të regjistruar” diku brenda nesh. Prandaj, mund të shfaqen në ëndrra edhe pas vitesh, njësoj si prindërit, familjarët, miqtë e afërt.

Ëndrrat më të zakonshme me ish partnerin dhe çfarë mund të nënkuptojnë
Kuptimi është gjithmonë personal, sepse çdo simbol në ëndërr ka domethënie ndryshe për njerëz të ndryshëm. Shpesh, ëndrra nuk flet për atë person, por për një çështje të sotme që mendja po e lidh me të kaluarën.

Ndjenja që kanë mbetur pezull
Nëse ke qenë shumë i lënduar, i lënë, ose lidhja ka mbaruar me shije të hidhur, mund të shfaqen ëndrra ku:
ti ribashkohesh me të, ai ose ajo kërkon falje, apo të thotë që të do ende
Këto mund të jenë ëndrra “dëshirë plotësuese”, pra mendja kërkon një ndjesi rikthimi të vetëvlerësimit dhe qetësimit.

Pakënaqësi emocionale ose seksuale në të tashmen
Nëse jeta ose një lidhje aktuale është bërë shumë rutinë, disa ëndrra mund të tregojnë mall për pasionin e një kohe tjetër, jo domosdoshmërisht për personin. Këtu futen ëndrra ku:
-bën seks me ish partnerin
-kërkon ta gjesh
-ribashkohesh
-përpiqesh t’i tërheqësh vëmendjen
Kjo mund të lidhet me nevojën për më shumë ngrohtësi, emocion, apo gjallëri në jetën reale.

Pakënaqësi me jetën tënde tani
Ndonjëherë ish partneri simbolizon versionin tënd të asaj kohe: kush ishe, si jetoje, çfarë ëndërroje. Kështu, ëndrra mund të thotë “më mungon ajo periudhë e jetës”, jo “më mungon ai person”.

Zemërim, plagë, ose ndjenja të pazgjidhura
Nëse lidhja ka pasur tradhti, dhunë emocionale, ose poshtërim, ish partneri mund të shfaqet në ëndrra si rikthim i një ndjesie të vjetër. Në këto raste, ëndrra mund të lidhet edhe me tema më të gjera si frika nga refuzimi apo plagë të vjetra.

Ëndrra për partneren e re të ish partnerit
Kjo shpesh mund të jetë mënyra e mendjes për të të përballur me një realitet: ai ose ajo ka vazhduar jetën. Mund të tingëllojë e ashpër, por në thelb është një shtysë për të ecur edhe ti përpara.

Kur duhet të shqetësohesh
Në përgjithësi, nuk ka pse. Por nëse ëndrrat përsëriten shpesh dhe janë të rënda, të frikshme, ose të trazojnë seriozisht, mund të jetë shenjë që ka diçka të papërpunuar, ose diçka në jetën tënde të sotme po e ndez atë ndjesi. Në këto raste, të folurit me një terapist mund të ndihmojë, jo sepse ëndrra është “problem”, por sepse mund të tregojë një nyje emocionale që s’po zgjidhet vetëm.

Edhe nëse ëndrrat janë shumë të bukura, shumë erotike dhe të përsëritura, specialistët thonë se ia vlen të reflektosh çfarë po kërkon mendja jote të të tregojë, çfarë të mungon, çfarë po idealizon.

Nëse je në lidhje tani, a duhet të ndihesh në faj
Jo. Askush nuk është “fajtor” për një ëndërr. Ëndrra nuk është tradhti, nuk është veprim real. Por nëse ëndrrat po të ngacmojnë shpesh, mund të jetë sinjal që ka një dëshirë, nevojë ose pasiguri në jetën tënde që kërkon vëmendje.