Four Seasons është emblema e luksit pa kohë dhe shërbimit të përsosur në destinacionet më ikonike të botës. Me imazhin e rrjetit sot, është e vështirë të imagjinohet se gjithçka nisi me një hotel modest, shumë larg shkëlqimit që njohim. 

Historia e një prej rrjeteve më prestigjioze të hotelerisë globale fillon në Toronto, Kanada, me hotelin e parë që u hap nën markën e “Four Seasons Hotels and Resorts”, “Four Seasons Motor Hotel”, i inauguruar më 21 mars 1961.

Në atë kohë, ende pa u çelur dyert e  resorteve madhështore në Maldive apo suitat panoramike në Paris e Beverly Hills, ishte një hotel i thjeshtë, me rreth 125 dhoma, i ndërtuar në qendër të Torontos, me një stil tipik të viteve ’60. Modern për kohën e me atmosferë funksionale, por me një detaj që do të ndryshonte gjithçka: vizionin e shërbimit të jashtëzakonshëm.

Pas këtij projekti qëndronte themeluesi i Four Seasons, Isadore Sharp, i cili nuk synonte thjesht të ndërtonte një hotel më shumë, por një përvojë ndryshe. Në një kohë kur industria e hotelerisë ishte ende e fokusuar tek prakticiteti, Sharp e kuptoi se luksi nuk do të ishte vetëm arkitektura, por mënyra se si një hotel të bën të ndihesh. Kjo filozofi do të bëhej më vonë ADN-ja e Four Seasons. 

Fotot historike të Four Seasons Motor Hotel tregojnë një ndërtesë të ulët, një pishinë të jashtme dhe një estetikë të thjeshtë retro. Asgjë nga ajo që sot do ta quanim “ultra-luxury”. Dhe pikërisht ky është kontrasti që e bën historinë kaq magjepsëse. Sot, Four Seasons është një perandori globale dhe çdo hotel i tij ruan të njëjtën ide themelore që lindi në 1961: “Perfeksioni qëndron tek detajet.”