
Laert Vasili nuk do të jetë më pjesë e Përputhen si opinionist. Vendimi u bë publik gjatë transmetimit të fundit të emisionit, pas një videoje ku aktori kërkoi falje në mënyrë të drejtpërdrejtë për veprimin e tij dhe për ndikimin që pati situata në studio.
Në mesazhin e transmetuar, Laerti u shpreh:
“Pikë së pari, dua t’ju falenderoj për të gjithë emocionet që më keni dhuruar në të gjithë këtë rrugëtim. Sigurisht që nuk ka njerëz të përkryer, të gjithë bëjmë gabime. Mirë është që kur njerëzit gabojnë, të ndëshkohen. Unë i përshëndes konkurrentët, në veçanti Esmën dhe nëse kam cënuar personalitetin e saj, i kërkoj ndjesë. I kërkoj falje produksionit dhe të gjithë njerëzve pas kamerave.”
Pas videos, Esme reagoi shkurt, duke thënë se i ishte dukur i sinqertë në kërkimin e faljes.
Megjithatë, moderatorja Megi Pojani e bëri të qartë se sjellja e Laertit u konsiderua e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat që përfaqëson programi dhe Top Channel. Sipas saj, vendimi për largimin e tij ishte përfundimtar.
Ngjarja që çoi në këtë vendim ndodhi gjatë një debati në studio mes Esmes dhe një prej djemve konkurrentë. Teksa jepte opinionin e tij, Laerti u shpreh se kishte “vetëm një mënyrë për t’i mbyllur gojën një gruaje”, më pas u ngrit, iu afrua Esmes dhe e puthi, veprim që solli reagim të menjëhershëm në studio. Esme dhe moderatorja u larguan për disa minuta, ndërsa situata u shoqërua me justifikime të momentit dhe me shpjegimin e Laertit se kishte dashur të ilustronte atë që po diskutohej.
Kur u rikthye në studio, Esme deklaroi se ishte e tronditur dhe se nuk e pranonte atë që kishte ndodhur. Edhe aty, Laerti kërkoi sërish ndjesë, duke thënë: “Nëse ty të kam sjellë në një pozitë të vështirë, që është logjike, unë të kërkoj shumë ndjesë.”
