
Jessica Alba dhe Cash Warren kanë finalizuar divorcin, duke i dhënë fund historisë që nisi në vitin 2004 në xhirimet e filmit Fantastic Four, ku ajo luante Sue Storm, ndërsa ai punonte si ndihmës regjisor. Çifti u martua në vitin 2008 dhe më pas kaloi një periudhë të gjatë ndarjeje që zgjati rreth dy vite.
Edhe pse nuk kishin firmosur një marrëveshje paramartesore, procesi është përshkruar si jashtëzakonisht miqësor dhe dokumentet e gjykatës flasin për një ndarje të drejtë, pa dramë. Nuk parashikohet pagesë ushqimore, por Alba do t’i paguajë Warrenit 3 milionë dollarë, si pjesë e marrëveshjes për të barazuar pasuritë e përbashkëta.
Gjykata ka vendosur gjithashtu kujdestarinë e përbashkët për tre fëmijët e tyre: Honor (lindur në 2008), Haven (2011) dhe Hayes (2017).
Në këtë proces, Jessica Alba është përfaqësuar nga avokatja Laura Wasser, e njohur për çështje divorci të profilit të lartë. Marrëveshja përfshin edhe ribalancimin e pasurive të përbashkëta, ku përmendet vila në Beverly Hills e blerë nga çifti në vitin 2017 për 10 milionë dollarë. Pagesa prej 3 milionësh, sipas dokumenteve të depozituara, do të kryhet në dy këste prej 1.5 milionë dollarësh: një i menjëhershëm dhe tjetri në vitin 2027.
Ndërkohë, një tjetër kërkesë e Albës, kur paraqiti kërkesën për divorc në shkurt të vitit të kaluar, ishte rikthimi i mbiemrit të saj të vajzërisë, gjë që tashmë është miratuar zyrtarisht.
Pavarësisht ndarjes, raporti mes tyre duket se ka mbetur i qetë dhe me respekt të ndërsjellë. Artikulli thekson se të dy kanë nisur njohje të reja: Warren është parë me një modele 25 vjeçe në gusht 2025, ndërsa Alba thuhet se është në një lidhje të qëndrueshme me aktorin Danny Ramirez prej rreth një viti.
Alba është fotografuar me Ramirez pak ditë pas finalizimit të divorcit, gjatë një qëndrimi në Miami. Më pas, pasi mbylli procedurat ligjore, ajo ka bërë edhe një pushim tjetër në Miami, këtë herë e vetme, duke u shfaqur në plazh, sikur po i linte pas gjithë lodhjet burokratike të mbylljes së martesës.
