Dua Lipa dhe Callum Turner, të cilët prej disa kohësh e kanë zyrtarizuar lidhjen, janë mësuar me dritat e vëmendjes për shkak të punës së tyre, por për jetën private kanë qenë gjithmonë të rezervuar me përjashtim të ndonjë fotoje në çift që ajo ka postuar herë pas here në Instagram.

Edhe në Paris, dyshja shpresonte të kalonte pa u vënë re pas një darke romantike. Por sapo dolën nga lokali, i priste një grup paparacësh, të cilët sipas tyre ndodheshin aty për të fotografuar një tjetër yll popi, Tate McRae.

I pari që doli ishte Turner, i cili u përball me fotografët: “Ne po qëndrojmë këtu pas qoshes. Çfarë po bëni? Duhet të na lini rehat. Ju lutem.” Përgjigjja e tyre ishte në formë pazari: “Na lër ta bëjmë këtë sonte dhe pastaj do t’ju lëmë të qetë.”

Aktori u kthye menjëherë: “Po u tregoni të gjithëve ku po qëndrojmë. Kjo nuk shkon.” Ndërsa paparacët këmbëngulën: “Jemi këtu vetëm për të bërë disa foto.”

Pak më vonë doli edhe Dua. Krah për krah me partnerin, ajo falënderoi madje në frëngjisht: “Merci beaucoup.” Por paparacët vazhduan t’u zinin rrugën dhe të fotografonin me flash. Këngëtarja ishte e qartë: “Jo, nuk do ta bëjmë këtë.”

Grupi tentoi sërish “marrëveshjen”: “Na jep vetëm disa foto dhe të lëmë rehat.” Dua insistoi: “Ju lutem, mos na ndiqni.” Ata ia kthyen: “Nuk do të të ndjekim, duam vetëm disa foto. Na jep një minutë dhe pastaj të lëmë të qetë. Na trego fytyrën.”

Por ajo nuk pranoi. E mbuloi fytyrën me dorë dhe, edhe pse çifti u largua nga lokali me shumë gjasë drejt vendit ku po qëndronin fotografët vazhduan t’i ndiqnin, duke i thirrur: “Një foto, një foto, hiqe dorën!

Klipi i kësaj përplasjeje u përhap shpejt në rrjete sociale dhe ndezi një debat që kthehet gjithmonë: a do të thotë të jesh i famshëm të humbasësh të drejtën për të thënë “jo”? A është e pranueshme të merret “me zor” imazhi dhe jeta e dikujt, edhe kur ai e kërkon shprehimisht të lihet i qetë?

Këtu nuk flitet vetëm për privatësi, por edhe për siguri. Pamjet dhe këmbëngulja për ta ndjekur çiftin mund t’u tregojnë njerëzve të gabuar se ku po qëndrojnë.

Në komente, shumë e quajtën sjelljen “të frikshme” dhe “çnjerëzore”, duke theksuar se dyshja u tregua tepër e edukuar. Disa sollën në vëmendje edhe faktin se, pas asaj që ndodhi me Diana, Princess of Wales në Paris, do të duhej të kishte më shumë ndërgjegjësim për kufijtë.

Videoja solli edhe një valë empatie të re: po, fama sjell privilegje dhe para, por a është kjo “fatura” që duhet paguar patjetër? Në vitet 2000 (dhe edhe më herët), sikur ishte e nënkuptuar që yjet duhet të duronin gjithçka: të ishin gjithmonë të disponueshëm, të buzëqeshur, “personazhe” që prodhojnë foto, thashetheme dhe klikime. Sot, megjithatë, po rritet një ide më e shëndetshme: edhe ata që jetojnë nën reflektorë kanë të drejtë për hapësirë private. Dhe është paradoksale që kjo ndjeshmëri forcohet pikërisht në epokën digjitale, ku kushdo mund të bëhet paparac me telefonin e vet.

Mesazhi që doli më i fortë nga reagimet online ishte i thjeshtë: një “jo” mbetet “jo”, edhe kur je i famshëm.