
Nga dokumentet e reja të njohura si “Epstein files” milionat e faqeve të bëra publike ditët e fundit nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara del edhe emri i një prej supermodeleve më të njohura në botë, Naomi Campbell. Këtë e raporton The New York Times, duke sqaruar se në këto karta të reja 55-vjeçarja përmendet afro 300 herë dhe se dokumentet sugjerojnë se Campbell ka qëndruar në rrethin e Jeffrey Epstein edhe pas vitit 2008, kur financieri u dënua në Florida për nxitje të prostitucionit të një të miture 14-vjeçare. Sipas asaj që del nga dosjet, “Venusi i Zi” do t’i kishte kërkuar miliarderit udhëtime me avionin e tij privat, do të kishte qenë në shtëpinë e tij në Manhattan dhe edhe në ishullin e tij privat në Karaibe. Nga ana e tij, Epstein thuhet se është ftuar, në emër të Naomit, në evente mondane në mbarë botën.
Po sipas dokumenteve, Epstein do ta kishte prezantuar Campbell me disa vajza të mitura për t’i afruar ato në rrjetën e tij, duke u premtuar një karrierë në botën e modës. Një viktimë i ka treguar FBI-së se, kur ishte 15 vjeçe, financieri pasi i premtoi se do ta nxirrte në pasarelat e Victoria’s Secret, ia prezantoi Naomin në zyrën e tij private. Një tjetër viktimë, në vitin 2019, ka deklaruar se kur ishte 18 vjeçe e pa Campbell në vilën e Epstein në New York gjatë një darke. Një viktimë e tretë, po ashtu në 2019, ka thënë se e ka parë Campbell në ishullin e Epstein.
Edhe Virginia Giuffre, e njohur për akuzat e saj për abuzim seksual ndaj Epstein dhe Princit Andrew, kishte deklaruar në gjykatë në vitin 2016 se miliarderi e kishte prezantuar me Campbell. Giuffre ka thënë gjithashtu se, kur ishte ende e mitur, mori pjesë në festën e 31-vjetorit të modeles, e zhvilluar në një jaht në jug të Francës në vitin 2001. Ajo rrëfeu se kishte shkuar në atë festë me Epstein dhe Ghislaine Maxwell dhe se atë natë ishte abuzuar seksualisht nga një burrë që i ishte prezantuar nga financieri.
Naomi Campbell nuk akuzohet për asnjë vepër penale, por pas publikimit të dokumenteve të reja, avokati i saj Martin Sanger ka sqaruar se “Venusi i Zi” është njohur me krimet e Epstein vetëm në vitin 2019, kur ai u arrestua në New York. “Nëse klientja ime do të ishte përballur ndonjëherë me një vajzë të re që e konsideronte viktimë të Epstein, do të kishte ndërhyrë personalisht dhe menjëherë për ta ndihmuar”, ka thënë Sanger, duke shtuar se mes viteve 2008 dhe 2013 “Naomi jetonte në Moskë dhe nuk kishte asnjë ide që Epstein ishte një abuzues seksual i regjistruar”.
Dokumentet e reja që përmendin Naomin, thekson The New York Times, janë edhe një shembull tjetër se si Epstein, i cili vdiq në burgun e Manhattan në vitin 2019, i tërhoqi vajzat shumë të reja në orbitën e tij duke shfrytëzuar një rrjet të gjerë dhe të fuqishëm kontaktesh.
