
Për efektivitetin e 'Intermittent fasting' është shkruar gjithçka dhe e kundërta. Një rishikim i ri i studimeve te persona mbipeshë ose obezë sugjeron tani se ky program ushqimor nuk është më i efektshëm për humbje peshe sesa të mos bësh asgjë.
I bërë i njohur vitet e fundit si strategji për dobësim, ky model dietik parashikon alternimin e periudhave të agjërimit me periudha ushqimi normal, brenda një “dritareje” të caktuar kohore çdo ditë, si te skema 16:8, ku agjëron 16 orë dhe ha brenda 8 orësh. Ose, në variante të tjera, ha normalisht disa ditë dhe shumë pak në disa të tjera, si te skema 5:2, ku ha normalisht pesë ditë në javë dhe kufizon ndjeshëm kaloritë në dy ditët e mbetura.
Ideja bazë është që kufizimi i momenteve kur mund të hash, të ulë marrjen totale të kalorive. Megjithatë, analiza e re shkencore, siç raportohet nga New Scientist, ka gjetur se kjo qasje nuk është më e mirë për rënie në peshë sesa numërimi i kalorive.
Për të kuptuar më qartë efektet, Luis Garegnani nga Ospedale Italiano di Buenos Aires dhe kolegët e tij analizuan të dhënat e 22 studimeve të randomizuara dhe të kontrolluara mbi agjërimin intermitent, ku u përfshinë gati 2000 të rritur në Amerikën e Veriut, Evropë, Kinë, Australi dhe Amerikën e Jugut. Pjesëmarrësit ishin nga 18 deri në 80 vjeç dhe ishin mbipeshë ose obezë.
Së pari, ata e krahasuan agjërimin intermitent me këshillat tradicionale dietike dhe zbuluan se, me gjasë, nuk ka ndonjë diferencë domethënëse në humbje peshe. Më pas, e krahasuan me mungesën e aktivitetit fizik dhe gjetën se, po ashtu, me gjasë nuk sjell humbje peshe më të madhe. Sipas Garegnani, “agjërimi intermitent nuk duket se funksionon për të rriturit mbipeshë ose obezë që kërkojnë të humbin peshë”.
Gjithsesi, mospërputhjet mes studimeve e bëjnë të vështirë të nxirren përfundime përfundimtare. Por edhe kur kërkuesit i grupuan rezultatet sipas gjinisë ose llojit të agjërimit intermitent, u pa se qasja sërish nuk dukej se ndihmonte për rënie në peshë.
Analiza u fokusua kryesisht te humbja e peshës, ndaj mbetet e paqartë nëse agjërimi intermitent ka efekte të tjera shëndetësore, pozitive apo negative. Disa studime sugjerojnë se mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ndërsa të tjera tregojnë se mund të forcojë sistemin imunitar dhe të përmirësojë funksionin e zorrëve dhe të mëlçisë. Sipas Garegnani, “agjërimi intermitent nuk është zgjidhje mrekullie”, duke theksuar se mund të jetë “një opsion i dobishëm për disa individë”, por nuk duhet të tërheqë vëmendjen nga strategjitë më të gjera, në nivel popullate, për parandalimin dhe menaxhimin e obezitetit.
