
Beatrix dhe Alban Ramosaj ndanë një prej atyre momenteve që mbeten gjatë në kujtesë, një përqafim për të cilin, siç thonë vetë, janë lutur gjatë.
Pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë, nëna e tyre ka përfunduar zyrtarisht kimioterapinë dhe terapinë me rreze. Një betejë që nuk ka qenë vetëm fizike, por edhe emocionale për të gjithë familjen. Në rrjetet sociale, dy artistët publikuan një mesazh prekës, plot mirënjohje, shpresë dhe një ndjenjë të thellë lehtësimi.
“Përqafimi për të cilin jemi lutur. Ka qenë një udhëtim i vështirë, i vështirë për t’u përshkruar me fjalë, por mirënjohja dhe optimizmi mbizotërojnë. Edhe pse kjo sfidë e vështirë është afër për t’u përfunduar, na kujtohet se jeta është e shkurtër dhe të jetuarit… dhe të mbajturit të dashurit tanë çdo moment është një dhuratë dhe një privilegj. Nëna ka përfunduar zyrtarisht kimioterapinë dhe terapinë me rreze, kështu që sot e festojmë këtë; nesër dhe çdo ditë që kemi mundësinë të jemi afër teje. Deri në mes të marsit, ajo do të ketë skanin e parë kontrollues pas terapive që ka ndjekur, dhe ne shpresojmë, lutemi dhe e manifestojmë që rezultati të jetë rikuperim i plotë nga kjo sfidë. Të duam shumë, nënë, Antigone Ramosaj”.
View this post on Instagram
Fjalë që tregojnë jo vetëm fundin e një etape të vështirë, por edhe forcën e lidhjes familjare. Në mesazhin e tyre ndihet qartë sa e gjatë dhe e lodhshme ka qenë kjo rrugë, sa net pa gjumë, sa pritje, sa ankth i heshtur. Por mbi të gjitha, ndihet dashuria. Ajo dashuri që mban familjet bashkë në momentet më të brishta.
Ata njoftuan se në mes të marsit, nëna e tyre do të kryejë skanimin e parë pas përfundimit të terapive. Një tjetër moment i rëndësishëm që do të sjellë përgjigje dhe, shpresohet, lajmin që çdo familje në këtë situatë pret me zemër në dorë: rikuperimin e plotë.
