
Një batutë e bërë tre vite më parë nga Albano Bogdo në emisionin “Albano Show” është rikthyer sërish në vëmendje, pasi aktori ka folur publikisht për situatën dhe ka kërkuar ndjesë në aspektin njerëzor.
Asokohe, gjatë një komenti ironik për largimin nga muzika të Alban Ramosajt dhe Feros, ai e prezantoi Albanin me një shprehje që lidhej me motrën e tij, Beatrix Ramosajn, dhe me Donald Veshaj në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Komenti u konsiderua i tepruar nga shumë përdorues në rrjetet sociale dhe solli reagime të forta.
I ftuar së fundmi në “UëTëFë Show”, Bogdo u pyet nëse do t’i kërkonte falje Beatrix Ramosajt, ose nëse priste një ndjesë prej saj. Në fillim të përgjigjes, ai u ndal te gjendja shëndetësore e nënës së këngëtares, duke thënë se ishte prekur nga lajmi për betejën e saj me kancerin dhe se ishte gëzuar kur kishte parë zhvillimet pozitive.
“Beatrix-i është një vajzë shumë e mirë, e shkëlqyer. Ka qenë disa herë në emisionet që kam punuar unë, ka qenë 2-3 herë tek ‘Apartamenti’, ka qenë një herë te ‘Klanifornia’ më duket. U gëzova shumë që pashë në Instagram, kishte pasur të ëmën sëmurë, m’u bë zemra mal kur kishte lëvizur atë zilen,” tha Bogdo.
Më pas, ai sqaroi se sipas tij batuta nuk kishte pasur si shënjestër Beatrix Ramosajn, por kishte qenë një ironi ndaj fenomenit të disa artistëve të rinj që, pas pak vitesh karrierë, paralajmërojnë largimin nga muzika. Ai tha se komenti kishte qenë më shumë një thumbim ndaj Alban Ramosajt sesa një sulm personal ndaj këngëtares.
“Ajo shakaja nuk ishte fare për Beatrix-in, e kanë humbur thelbin njerëzit, ishte një shaka për këngëtarët e rinj që kanë 2-3 vjet në karrierë, thonë ‘po iki unë nga muzika tani’. Ishte një shaka për vëllanë e saj,” u shpreh ai.
Bogdo theksoi gjithashtu se nuk ka pasur si qëllim të ulej figura e Beatrix Ramosajt dhe kujtoi se, gjatë periudhës kur ajo ishte pjesë e “Big Brother VIP Albania” dhe përballej me kritika për lidhjen me Donald Veshaj, ai kishte mbajtur qëndrim mbështetës ndaj saj.
“Në qoftë se është dukur sikur kam bërë punch down (sulmuar/tallur), nuk ka qenë ai qëllimi im, t’i bëj punch down dikujt, sidomos një femre. Sidomos një femre që nja 2 vjet para se t’i bëja unë këtë punch down gjasme, kur të gjithë po i bënin punch down, unë po i bëja punch up. Ka pasur një emision Olsi Bylyku, kam dalë në një intervistë dhe më pyeti për të njëjtën gjë, atëherë që ishte në Big Brother Beatrix-i dhe i thashë ‘lëri këto budallallëqe, nëse janë bashkë, janë bashkë’ (me Donaldin).
Unë e kam shumë xhan Beatrix-in, po do të dish të vërtetën, dhe më është dukur gjithmonë një vajzë shumë premtuese dhe shumë këngë simpatike, shumë e sjellshme. Po i kërkoj unë falje në kuptimin njerëzor, jo në kuptimin… unë s’kam bërë gabim artistik,” përfundoi Bogdo.
Deklaratat e tij kanë rihapur diskutimin në rrjetet sociale për kufirin mes humorit, satirës dhe ndikimit që batutat publike mund të kenë ndaj personazheve të njohur.
