
Pas dy vitesh larg intervistave dhe ekraneve, Vesa Vllasaliu është rikthyer me një rrëfim të hapur për jetën e saj personale, duke sqaruar spekulimet që kanë qarkulluar së fundmi për marrëdhënien me futbollistin Mirlind Daku.
Gjatë intervistës, biseda u përqendrua te raporti i tyre dhe te momentet e para të njohjes. Vesa tregoi se afrimi mes tyre nisi pas një takimi në një dasmë, duke përshkruar mënyrën si u krijua lidhja.
“Ne kemi qenë në dasmën e Adrit dhe Ilirianës, jemi takuar aty, ai ka bërë një video me mua. Më shkruante çdo ditë pastaj, më kushtonte vëmendje dhe unë kam pas qejf që të më kushtonin vëmendje dhe kjo ka qenë pika kur ka nisë të më pëlqejë”, tha ajo.
Ajo foli edhe për një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së saj, si nënë e një vajze. Sipas Vesës, përvoja e mëmësisë ka qenë një realizim i një ëndrre personale dhe një burim lumturie.
“Ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur, është ëndrra më e madhe që kam pas që të jem nënë. Ma ka plotësu dëshirën Zoti dhe kam një vajzë shumë të mirë”, tha ajo.
Sa i përket zërave për një krizë në çift, Vesa mohoi që të ketë pasur ndarje mes saj dhe Mirlind Dakut. Ajo sqaroi se episodi i heqjes së follow-it në rrjetet sociale ka ndodhur në një moment mërzie dhe është rikthyer menjëherë, por është interpretuar si shenjë problemi nga publiku.
“Ja, kemi hequr njëri-tjetrit follow-n, ishim të inatosur, dhe në atë moment e hoqëm, por pastaj menjëherë bëmë follow prapë. Dikush e pa shumë shpejt dhe filluan të thonë ‘kushedi sa kohë e kanë hequr’, ndërkohë që ne kishim vetëm 2-3 minuta. Menjëherë u përfol se ishim ndarë, por ne nuk jemi ndarë kurrë që nga momenti që kemi nisur të flasim. Ndonjëherë shkruajmë dhe keqkuptohemi, sidomos unë, që nuk di të shprehem mirë në shqip. Ndonjëherë nervozohet ai, ndonjëherë unë, por më shumë ndikon distanca, që nuk kuptohemi,” sqaroi.
Me këtë deklaratë, Vesa Vllasaliu ka tentuar të mbyllë spekulimet për një ndarje, duke theksuar se marrëdhënia e tyre vazhdon pavarësisht keqkuptimeve të rastit dhe sfidave që sjell distanca.
