Ishte kuptuar tashmë se Romeo Beckham, në konfliktin familjar për të cilin po flitet kaq shumë, ishte plotësisht në anën e prindërve. Por tani, 22-vjeçari ka dashur ta bëjë edhe më të qartë pozicionin e tij me një gjest të ri në rrjetet sociale, që nuk lë vend për dyshime.

Djali i dytë i David dhe Victoria Beckham ka vendosur “like” në një video virale, ku producentja, influencerja dhe ekspertja e kulturës pop, Ash Cantley, duke folur për përçarjen në familjen Beckham, sulmon hapur bashkëshorten e Brooklyn-it:
“Victoria dhe David po përpiqen të shpëtojnë djalin e tyre. Problemi është Nicola Peltz. Mendoj se ka qenë ajo që e ka detyruar të sulmojë prindërit në rrjetet sociale”.

Një version i historisë i ngjashëm me atë që prej muajsh mbështetet nga vëzhgues të tjerë, të bindur se Nicola nuk e ka duruar kurrë vjehrrën e saj, Victoria-n, dhe se në fund “i ka vënë të gjithë kundër njëri-tjetrit”. “Like”-u i Romeo-s te videoja e re tregon se edhe ai, si një pjesë e opinionit publik, ia atribuon përçarjen familjare bashkëshortes së vëllait të madh.

Në fakt, që Romeo ishte tërësisht në krah të prindërve të tij ishte kuptuar edhe më herët. Kur Brooklyn publikoi shpërthimin e famshëm në rrjetet sociale, ku sqaroi se nuk kishte aspak ndërmend të pajtohej me nënën dhe babanë të cilët, sipas tij, kishin kërkuar gjithmonë të kontrollonin jetën e tij dhe kishin “provuar pa pushim ta sabotonin marrëdhënien time me Nicola Peltz, që përpara martesës” Romeo publikoi në TikTok një video (më pas të fshirë), ku ai dhe vëllai Cruz ishin ulur në makinë, të qeshur, me të dashurat e tyre përkatëse, Kim Turnbull dhe Jackie Apostel.

Në përshkrimin e videos, një frazë që shumëkush e pa si thumb ndaj Brooklyn-it:
“Imagine hating and we’re just here like”
(“Imagjino të jetosh me urrejtje, ndërsa ne jemi këtu kështu”).

Ditët e fundit, “lufta” ka vazhduar edhe me tatuazhe: Brooklyn ka fshirë nga krahu shkrimin “babai”, si edhe tatuazhet dedikuar nënës dhe vëllezërve; ndërsa Romeo ka bërë në zverk tatuazhin me fjalën “familje”.

Një familje që, pavarësisht dhimbjes për largimin e Brooklyn-it, vazhdon përpara. Madje më e bashkuar se kurrë, siç u pa edhe nga festa e organizuar së fundmi nga David dhe Victoria për 21-vjetorin e djalit të tretë, Cruz.

Një festë e madhe ku ishin të pranishëm të gjithë vëllezërit, përveç  natyrisht  Brooklyn-it. Mungesa e aspirantit për shef kuzhine, dhe ajo e bashkëshortes së tij Nicola Peltz, megjithatë nuk dukej se e rëndoi atmosferën, të paktën në pamje të parë, në festën shumë të gjallë për nder të Cruz-it, e cila zgjati mes darkës, muzikës dhe vallëzimit deri në orët e para të mëngjesit.