
Bes Kallaku ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor me titull “Rrëfimi”, një këngë që po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale. Projekti po lexohet nga një pjesë e publikut jo vetëm si krijim artistik, por edhe si një rrëfim personal, për shkak të toneve intime dhe përmbajtjes së tekstit.
Teksti, i shkruar nga vetë artisti, përmban vargje që ndjekësit i kanë interpretuar si referenca të mundshme ndaj periudhave të vështira, keqkuptimeve dhe përballjeve publike që kanë shoqëruar jetën e tij private në vitet e fundit.
Edhe pse në këngë nuk përmenden emra, vëmendje kanë marrë disa rreshta që po lidhen nga publiku me marrëdhënien e tij me ish bashkëshorten, Xhensila Myrtezaj.
“Janë thënë ç’a s’janë thënë,
Por hiç s’i përfilli,
Mes meje e teje,
Dihet kush është thëngjilli.”
Këto vargje janë interpretuar nga ndjekësit si reagim ndaj zërave dhe aludimeve që kanë qarkulluar gjatë ndarjes së tyre, një nga historitë më të komentuara në showbizin shqiptar.
Në një pjesë tjetër të këngës, Bes Kallaku sjell vargje që sugjerojnë një periudhë të vështirë personale dhe emocionale.
“U zhyta edhe n’vese,
Po, po, e vërtetë,
Por a m’pyeti njeri:
O Bes, ç’a ke, pse nuk flet?”
Kjo pjesë e tekstit është komentuar si një shprehje e ndjenjës së vetmisë dhe mungesës së mbështetjes, duke e kthyer këngën në një rrëfim me tone personale.
Në të njëjtën kohë, në media rozë është raportuar se Bes Kallaku ka nisur një histori të re dashurie me një vajzë të quajtur Ejona, çka është parë si një tregues se jeta e tij personale ka hyrë në një fazë të re.
