
Modelja shqiptare Misse Beqiri është rikthyer në vëmendjen mediatike ndërkombëtare, pasi emri i saj është përmendur në dokumente që lidhen me financierin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein. Zhvillimi vjen në një periudhë kur ajo po rikthehet edhe në ekran, me pjesëmarrjen në sezonin e ri të “Ladies of London: The New Reign”.
Sipas raportimeve mediatike, përmendja lidhet me një takim të vitit 2011 mes Beqirit dhe Epstein, në kohën kur modelja ndodhej në fillimet e karrierës së saj. Në reagimet e përcjella për media, persona pranë saj kanë theksuar se ajo ishte shumë e re në atë periudhë dhe se nuk kishte dijeni për të kaluarën kriminale të tij.
“Ajo u trondit kur mësoi se emri i saj ishte përmendur në dokumente. Ishte shumë e re në atë periudhë dhe nuk e dinte kush ishte ai,” është shprehur një burim pranë saj.
Në të njëjtën linjë, është pretenduar se kontakti mes tyre kishte ardhur si rezultat i premtimeve për mundësi profesionale në fushën e modelingut dhe se nuk kishte ndodhur asgjë e papërshtatshme gjatë atij takimi.
“Nuk ndodhi asgjë mes tyre. Ishte një modele e re që përpiqej të ndërtonte rrugën e saj. Sot ajo e sheh atë takim si një gabim dhe shpreh keqardhje për viktimat e kësaj çështjeje. Ajo është e bindur se nuk ka bërë asgjë të gabuar,” thuhet më tej.
Raportimet pretendojnë gjithashtu se Epstein kishte shfaqur interes për ta ndihmuar profesionalisht modelen, përfshirë oferta për udhëtime dhe dhurata luksoze. Sipas të njëjtave pretendime, takimi i parë mes tyre thuhet se ka ndodhur në rezidencën e tij në Manhattan, në një periudhë kur Beqiri, sipas njerëzve pranë saj, nuk ishte në dijeni të historikut të tij penal.
