
Ermal Meta, një nga artistët në garë në Festivalin e Sanremos 2026, u ngjit për herë të parë në skenën e Aristonit me një stil më bashkëkohor se eleganca klasike me të cilën jemi mësuar ta shohim.
Për ta shoqëruar estetikisht këngën e tij në konkurs, 'Stella stellina', këngëtari i ka besuar stilistit Nicolò Grossi dhe shtëpisë së modës Trussardi: për të është menduar një siluetë oversize dhe materiale me nuanca të pasura, me efekt sateni.
Më konkretisht, Ermal Meta kishte veshur një pardesy të lehtë prej sateni mëndafshi, pantallona suede me trajtim vintage dhe çizme deri te kyçi, në denim të punuar, në ngjyrë “lava”.
Por përtej detajeve teknike të veshjes, ishte një element tjetër që tërhoqi menjëherë vëmendjen: një shkrim në jakën e këmishës. Shumëkush u përpoq ta dallonte nga afër: çfarë kuptimi kishte?
Misteri u zbulua shpejt: artisti, i cili në këngë prek temën tepër aktuale të jetës së një vajze të vogël në Gaza, kishte zgjedhur që në veshjen e tij të qëndisej emri i një fëmije palestinez, i shkruar me grafikun e tij. Për natën e parë, emri i zgjedhur ishte “Amal”. Dhe jo rastësisht: emrat do të ndryshojnë nga një mbrëmje në tjetrën.
Në rrjetet sociale, këngëtari shkruan:
“Protagonistja e Stella stellina është një vajzë pa emër, por ndoshta ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind ç’rëndësi ka, ndoshta asgjë, ndoshta gjithçka. Bijat e askujt, bijat e të gjithëve.”
Një gjest i vogël në pamje të parë, por me një peshë të madhe emocionale një shenjë dashurie dhe ndërgjegjësimi që i jep look-ut të tij edhe më shumë kuptim.
