
Mes Nice dhe Monaco, në një nga pozicionet më ekskluzive të Rivierës Franceze, i rrethuar nga kopshte mesdhetare dhe me pamje të hapur drejt detit Mesdhe, Grand-Hôtel du Cap-Ferrat, i hapur në vitin 1908, është kthyer në simbol të elegancës dhe privatësisë.
Hoteli historik përfaqëson stilin “old-money” të jetesës së rivierës në formën e tij më të rafinuar. Që prej më shumë se një shekulli, ai ka qenë strehë e aristokracisë evropiane, artistëve dhe udhëtarëve që kanë kërkuar një eksperiencë ekskluzive si askund tjetër.
Arkitektura klasike franceze, fasadat e bardha dhe dritaret që hapen drejt horizontit krijojnë ndjesinë e një rezidence private, më shumë sesa të një hoteli tradicional. Dhomat dhe suitat janë të dizajnuara me tone të buta, tekstura natyrale dhe pamje që bëhen pjesë e përditshmërisë – deti në mëngjes, kopshtet në mbrëmje.
Atmosfera është e qetë, diskrete, pa ekstravagancë të tepruar. Një nga simbolet më të njohura të hotelit është pishina infinity e “Club Dauphin”, e vendosur mbi shkëmb. Pushimi aty kalon mes relaksit në cabana private, notit në ujë të kristaltë dhe shërbimit të kuruar deri në detaj.
Gastronomia është pjesë thelbësore e përvojës. Darkat në terrace, nën dritën e butë të perëndimit, kombinojnë kuzhinë mesdhetare të rafinuar me një atmosferë intime dhe elegante. Grand-Hôtel du Cap-Ferrat është destinacioni ideal për muaj mjalti, përvjetor romantik apo për ata që kërkojnë një verë me stil, larg turmave, por në zemër të Rivierës Franceze si në një film të vjetër.
