Publikimi i projektit më të fundit muzikor të Bes Kallakut, “Rrëfimi”, ndezi menjëherë reagime në rrjet. Për shkak të toneve personale dhe vargjeve që u interpretuan si të lidhura me jetën e tij private, aludimet u shtuan se kënga mund të ishte një “diss” i fshehtë ose një mesazh i drejtpërdrejtë për ish-bashkëshorten e tij, Xhensila Myrtezaj.

Pas këtyre komenteve, Bes Kallaku ka reaguar publikisht përmes një Instastory të gjatë, ku ka sqaruar qëndrimin e tij dhe ka tentuar t’u japë fund thashethemeve që u krijuan pas publikimit të këngës.

Në mesazhin e tij, Besi e cilëson “Rrëfimin” si projektin e tij më të bukur, duke theksuar se në këtë projekt nuk ka “aktruar”, por është shfaqur ashtu siç është.

“Në këtë projekt kam qenë vetëm unë. Pa maska. Pa skenar. Vetëm unë dhe e vërteta ime,” shkruan ai, ndërsa falënderon edhe publikun për mbështetjen.

Në pjesën kryesore të reagimit, ai i përgjigjet drejtpërdrejt idesë se kënga është e lidhur me të shkuarën e tij, duke deklaruar se e ka mbyllur prej kohësh atë kapitull.

“Unë prej kohësh e kam mbyllur kapitullin me të shkuarën time, kapitull nga i cili mu desh kohë të kuptoja, sa i fituar dola.”

Besi përmend edhe mbështetjen e motrës së tij, Ana Kallaku, në periudhat që i quan “ditë gri”, ndërsa në fund të mesazhit ai ndalet te jeta e tij aktuale sentimentale, duke i kushtuar fjalë të ndjera partneres së tij, të cilën e konsideron si një njeri që i ka rikthyer qetësinë.

“E për ta mbyllur, dua të falënderoj njeriun e zemrës sime, trëndafilin tim në kohë lufte, që më ktheu paqen, buzëqeshjen, shkëlqimin e syve të mi dhe mbi të gjitha versionin më të mirë të vetes sime…”