Showgirli argjentinase, pasi ka lënë pas një periudhë të komplikuar, rikthehet në skenën e Sanremos 2026 ku e kemi parë tashmë tri herë në të shkuarën. Këtë herë, ajo shoqëron debutuesin Samurai Jay.

Katërmbëdhjetë vjet pas pjesëmarrjes së saj të parë, Belén Rodríguez rikthehet për herë të katërt në Festivalin e Sanremos. Në edicionin 2026, fillimisht në mënyrë surprizë dhe më pas gjatë mbrëmjes së dueteve, ajo është krah Samurai Jay, debutues në garë me këngën me tinguj latinë “Ossessione”.

“Të këndosh më vë shumë në siklet, është më e fortë se unë. Ndërsa kur duhet të prezantoj, ndihem shumë më rehat,” ka treguar ajo. Sa i përket rolit të saj konkret në Festival, Belén përpiqet të mbajë sa më shumë diskrecion:
“Mund të themi që unë do jem aty, pjesa tjetër nuk mund të thuhet…”

Në të kaluarën, më saktë në 2010, Belén u provua edhe me një performancë të mirëfilltë në Ariston, duke kënduar në duet me Toto Cutugno në këngën Aeroplani. Por siç pranon vetë ajo “nuk e mban mend askush”.

Festivalin më të paharrueshëm e pati në 2012, kur bashkë me Elisabetta Canalis i qëndroi krah prezantuesit Gianni Morandi (ashtu si edhe një vit më parë). Shumë e mbajnë mend momentin kur Belén, atëherë 27 vjeçe, zbriti shkallët e Aristonit me një fustan me një të çarë të guximshme, që la të dukej edhe një tatuazh në pjesën e poshtme të barkut një moment që mbeti në historinë e televizionit.

Që atëherë kanë kaluar 14 vjet dhe shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e showgirl-it 41-vjeçar. Edhe në aspektin sentimental:
së pari ndarja përfundimtare nga Stefano De Martino, babai i djalit të saj të madh Santiago, pas një marrëdhënieje “on-off” që zgjati 10 vjet; më pas fundi i lidhjes me Antonino Spinalbese, me të cilin ka vajzën e vogël Luna Marì. Më pas një periudhë e gjatë single, në pritje të dashurisë së vërtetë:
Ka dy vjet që nuk më pëlqen askush,” ka pranuar së fundmi.

Ndër këto vite, Belén ka kaluar ngritje e ulje edhe në karrierë (marrëdhënia me Mediaset përfundoi për arsye që nuk u sqaruan kurrë plotësisht) dhe ajo nuk i ka fshehur kurrë momentet e saj të brishtësisë, përfshirë edhe depresionin me të cilin u përball në 2023.

Pak javë më parë, e ftuar te Fabio Fazio në Che che fa, ajo pranoi:
“Kam kaluar 3–4 vite shumë të vështira në jetën time më të vështirat. Ndodh, është pjesë e jetës.”