
Këngëtarja Jonida Maliqi ka folur hapur për raportin që vijon të ruajë me ish-partnerin e saj, Romeo Veshaj, duke e përshkruar atë marrëdhënie si një nga periudhat më të bukura të jetës së saj dhe si një shembull të rrallë korrektësie pas ndarjes.
“Ka qenë një periudhë shumë e bukur e jetës sime. E kujtoj me dashamirësi sepse i kemi ruajtur raportet,” u shpreh ajo.
Artistja theksoi se do të kishte dashur që një marrëdhënie po aq të rregullt dhe të shëndetshme ta kishte edhe me babain e djalit të saj, Danit. Sipas Jonidës, Romeo ka vijuar të mbajë lidhje jo vetëm me të, por edhe me familjarët e saj, duke treguar kujdes dhe vëmendje në momente të rëndësishme.
“Do kisha dashur që edhe me babin e Danit të kisha këtë raport që kam me Romeon sot e kësaj dite, me familjarët e tij. Më uron për çdo ditëlindje të Danit, timen, të mamit. Edhe unë e uroj atë dhe i jam shumë mirënjohëse se ka qenë një ndër partnerët e vetëm që ka bërë shumë për Danin.”
Në deklaratën e saj, Jonida nënvizoi edhe lidhjen e fortë që Romeo kishte krijuar me djalin e saj, duke thënë se kjo marrëdhënie ka lënë gjurmë dhe vazhdon të kujtohet edhe sot.
“Kanë qenë shumë të lidhur dhe Dani edhe sot e kësaj dite e përmend, nuk e ka harruar.”
Ndër të tjera, ajo kujtoi edhe një periudhë kur ishte e angazhuar intensivisht me karrierën dhe iu desh të largohej për disa muaj nga Shqipëria. Në atë kohë, sipas saj, Romeo ishte kujdesur për Danin, duke e marrë shpesh me vete dhe duke e përfshirë edhe familjen e tij në këtë përkujdesje.
“Mbaj mend që unë fitova Eurovision dhe më duhej të lëvizja gjashtë muaj, dhe i thoshte mamit: ‘Bëje Danin gati se do ta nxjerr’, edhe e nxirrte në park lojërash me prindërit e tij. Gjë shumë e rrallë për mentalitetin shqiptar.”
