
Janë publikuar disa nga komunikimet mes modeles shqiptare Misse Beqiri Maloku dhe Jeffrey Epstein, ku pasazhe të shkëmbimeve tregojnë se mes tyre kishte një raport që, të paktën në gjuhën e përdorur, shfaqet me afërsi personale dhe jo vetëm në nivel njohjeje shoqërore.
Emri i saj përmendet në dhjetëra shkresa tashmë publike të autoriteteve, ku edhe pse disa pjesë rezultojnë të redaktuara, identiteti i saj mbetet i ekspozuar. Në qendër të vëmendjes janë vendosur konkretisht emailët dhe mesazhet e shkëmbyera gjatë periudhës 2011 deri 2012, të cilat kanë nxitur diskutime të reja në rrjet dhe në media.
Kontakti i parë, 8 shtator 2011
Sipas komunikimeve të publikuara, Misse ka kontaktuar për herë të parë me Epstein më 8 shtator 2011. Në emailin e parë, ajo shkruante:
“Përshëndetje Jeffrey, jam Misse, një shoqe e Tancredit. Ai më tha të të shkruaj në lidhje me qëndrimin tim në Nju Jork. Mikpritja juaj vlerësohet shumë! Do të mbërrij më datë 10 dhe do të largohem më datë 18. Tancredi më ka folur shumë për ju dhe për faktin sa shumë ju vlerëson, dhe mezi pres të takohemi. Me respekt, Missi.”
Pas këtij kontakti, në vijim shfaqet edhe përgjigjja e asistentjes personale të Epstein, Lesley Groff, e cila kërkon të dhëna dhe detaje praktike për qëndrimin e modeles. Mesazhi i saj është publikuar i plotë:
“Përshëndetje Misse, A mund të më dërgosh, të lutem, detajet e mbërritjes tënde në Nju Jork nesër? Kam rregulluar që gjatë qëndrimit tënd të akomodohesh në një nga apartamentet e tij për mysafirë. Adresa është 301 E 66th St. Do të jesh në apartamentin 4M. Portieri do të ketë një letër për ty me kodin e hyrjes së apartamentit; ne nuk përdorim çelësa, por tastierë me kod për të hyrë. A mund të më japësh edhe numrin tënd të telefonit?”
Takimi i parë dhe vijimësia e komunikimeve
Në tekstet e raportuara thuhet se takimi i parë mes tyre është zhvilluar më 17 shtator 2011 në vilën e Epstein në Manhattan. Pas këtij takimi, komunikimet kanë vijuar dhe në përshkrimet e publikuara përmenden sugjerime për takime, njohje dhe plane udhëtimesh, si edhe biseda të lidhura me projekte të mundshme në botën e modës.
Një nga mesazhet që ka marrë vëmendje të veçantë është ai i datës 26 shtator 2011, ku Misse i shkruante:
“Zemër, e humba telefonin… lol. Jam në Suedi, kam punë këtu këtë javë, më 10 po nisem për në Milano. Si je? Po mendoja për ty dje… Xxx.”
Në një tjetër komunikim të publikuar, Misse shkruan:
“Jam në Paris, ku je? Sapo mbërrita sot në shtëpi për Krishtlindje. Jam ende beqare, kam dalë me dikë, por nuk jam gati për asgjë serioze ende… Ku je ti?”
Ndërsa, sipas të njëjtave publikime, Epstein i është përgjigjur:
“Ku je dhe si e ka emrin ai?”
Sipas përshkrimit të materialeve të bëra publike, komunikimi i fundit i publikuar daton më 22 mars 2012. Po në këto raportime pretendohet se Epstein i kishte ofruar Beqirit udhëtim me avion privat drejt Parisit, si edhe i kishte premtuar një Mercedes me vlerë 100,000 paund.



Kush është Misse Beqiri
Misse Beqiri, e lindur në Shqipëri dhe e rritur në Suedi, ka zhvilluar karrierën e saj në Mbretërinë e Bashkuar si modele dhe figurë televizive. Në raportimet e publikuara thuhet se ajo është 39 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve. Emri i saj është bërë i njohur për publikun britanik edhe përmes paraqitjeve televizive, ku vëmendje ka pasur edhe jeta e saj personale.
Në vijim, në media është pasqyruar gjerësisht edhe divorci, si edhe lidhja e saj e mëvonshme me Jake Hall, elemente që kanë mbajtur shpesh në fokus profilin e saj publik.
Publikimi i këtyre komunikimeve ka shtuar interesin dhe komentet në rrjet, ndërsa mbetet e hapur mënyra se si do të vijojë trajtimi i këtij materiali në ditët në vijim, pasi çështja Epstein vijon të jetë një nga temat më të diskutuara ndërkombëtarisht sa herë dalin dokumente dhe detaje të reja në publik.
