
Luana Vjollca po rikthehet sërish në qendër të diskutimeve për një kthim të mundshëm në televizion. Zërat për rikthimin e saj në ekran janë shtuar ditët e fundit dhe, sipas aludimeve që po qarkullojnë, ajo mund të shfaqet sërish në Top Channel.
Në këto raportime përmendet mundësia që Luana të jetë e ftuar në programin “Goca & Gra”, çka do të shënonte edhe një rikthim simbolik në ekranin ku ajo u identifikua për vite me radhë nga publiku.
Së fundmi, Luana u shfaq në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, ku prezantoi brandin e saj të veshjeve. Gjatë mbrëmjes live, moderatori Ledion Liço i dërgoi një përshëndetje nga studio, duke e përmendur publikisht. Reagimi i Luanës erdhi menjëherë pas transmetimit, kur ajo ripostoi momentin në Instagram dhe shkroi: “Edhe unë ju dua shumë”, ndërsa etiketoi Ledionin, Sarën dhe Lori Hoxhën. Ky shkëmbim u interpretua nga ndjekësit si një sinjal i një marrëdhënieje të afërt dhe të qëndrueshme me figurat drejtuese të televizionit.
Ndërkohë, edhe më herët, Luana ka lënë të kuptohet se kthimi në ekran është pjesë e planeve të saj. Në shtator 2025, gjatë një komunikimi virtual me ndjekësit, ajo u shpreh: “Sigurisht që do rikthehem në ekran sepse nuk di si të jetoj pa ju…” Edhe pse pa zbuluar kohë apo format konkret, mesazhi u pa si një deklaratë e qartë se televizioni mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj profesional. Më pas, në nëntor 2025, ajo i nxiti fansat me pyetjen: "Pa më thoni pak, cilin program doni?" duke lënë të hapur mundësinë për projekte të reja.
Kujtohet se Luana u largua nga Top Channel në vitin 2021, pas një rrugëtimi rreth 15 vjeçar, periudhë që e ka përshkruar si një kapitull të rëndësishëm të karrierës, duke e quajtur televizionin “shtëpia ime”.
