
Michael B Jordan është shpallur fitues i çmimit “Outstanding Actor” për rolin kryesor në filmin “Sinners”, në ceremoninë Actor Awards 2026. Aktori e mori trofeun duke lënë pas emra të njohur si Leonardo DiCaprio, Ethan Hawke dhe Timothee Chalamet.
Jordan u vlerësua për interpretimin e tij në “Sinners”, ku luan dy vëllezër binjakë, Smoke dhe Stack, të cilët kthehen në qytetin e tyre të lindjes me shpresën për një fillim të ri, por përballen me një forcë të errët që i ndryshon planet. Filmi është me regji të Ryan Coogler, i njohur edhe për punën e tij në “Black Panther”.
Në fjalimin e pranimit, Michael B Jordan falënderoi Coogler për mundësinë, duke thënë se i ishte dhënë hapësira për të bërë atë që di të bëjë më mirë si aktor. Emocioni i tij u ndje qartë edhe në skenë, teksa pranoi se nuk e kishte pritur aspak këtë fitore.
“Nuk e prisja fare,” u shpreh ai nga podiumi në Shrine Auditorium në Los Angeles. Ai shtoi se vetëm fakti që ndodhej në atë sallë, mes njerëzve që e kanë parë të rritet para kamerës, e bënte të ndiente dashurinë dhe mbështetjen që i është dhënë ndër vite.
Një nga momentet më të ndjera të fjalimit ishte dedikimi për nënën e tij. Jordan e falënderoi publikisht për sakrificat e hershme, duke kujtuar kohën kur ajo e shoqëronte me makinë deri në New York, edhe në periudha kur familja nuk kishte mjaftueshëm para.
“Mami, faleminderit që më çoje vajtje ardhje në New York kur nuk kishim para të mjaftueshme as për të kaluar Holland Tunnel,” tha ai, duke e kthyer fitoren jo vetëm në një moment karriere, por edhe në një homazh për rrugëtimin e tij dhe njerëzit që e mbajtën në këmbë që në fillim.
