
Aktori i njohur i humorit Albano Bogdo ka folur hapur për jetën e tij sentimentale në “Grida Duma Podcast”, duke surprizuar publikun me një rrëfim të sinqertë për marrëdhëniet, katër fejesa dhe mënyrën se si ai e koncepton dashurinë.
Gjatë intervistës, Bogdo pranoi pa hezitim se ka qenë i fejuar katër herë, duke theksuar se secila prej këtyre historive ka pasur peshën dhe rëndësinë e saj.
“Jam fejuar katër herë,” tha Bogdo, duke nënvizuar se për të, çdo lidhje ka qenë e rëndësishme në mënyrën e vet.
Ai foli edhe për arsyet pse lidhjet e tij nuk kanë funksionuar, duke kundërshtuar idenë se kjo e bën atë “të paqëndrueshëm”. Sipas aktorit, gjërat thjesht nuk kanë ecur, por kjo nuk do të thotë se ai ka qenë i pandershëm apo i papërkushtuar.
“Më duan shumë njerëz, thjesht s’ka funksionuar. Unë kështu funksionoj. Në qoftë se nuk pëlqen… nuk mund të ndryshoj 75% të vetes që të ndihesh ti e lumtur. Ç’kuptim ka bota në qoftë se unë s’jam vetvetja ta shijoj?”
Në bisedë, Bogdo u ndal edhe te dinamika e marrëdhënieve dhe pranoi se dashuria ka nevojë për “nuanca” dhe madje për pak “toksicitet”, por vetëm deri në një limit. Sipas tij, kur gjërat e kalojnë masën, atëherë një marrëdhënie humbet kuptimin dhe shëndetin e saj.
“Kur bëhet pak më shumë se ç’duhet, pastaj nuk duhet më,” u shpreh ai.
Një nga momentet më të ndjera të bisedës erdhi kur Grida Duma e pyeti drejtpërdrejt nëse, në këtë fazë të jetës, ai e sheh veten të bëhet baba. Bogdo pranoi se për një kohë të gjatë ka pasur një frikë të madhe, që lidhet me raportin me figurën e atit dhe me ngjashmërinë që ai ndien me të atin.
“Fobia më e madhe që kam pasur gjithë jetën… është sepse e njoh shumë mirë veten dhe i ngjaj shumë babait tim. Në qoftë se vendos të bëhem baba, vendos me dëshirën më të madhe në botë për të qenë babai i tyre derisa të vdes, t’u jem prezent gjithë kohës. Nuk më bënte askush të ndihesha se doja të bëhesha baba,” deklaroi aktori.
