
Elijah Blue Allman, djali i dytë i Cher, është arrestuar pasi, sipas policisë, më 27 shkurt është përfshirë në një incident në një shkollë private në New Hampshire. Muzikanti 49 vjeç dyshohet se është futur fshehurazi në mensën e shkollës dhe për këtë është akuzuar për dy shkelje të lehta, shkelje të pronës dhe prishje të qetësisë publike. Pas arrestimit, ai është liruar pa paguar garanci, por do të duhet të përballet me akuzat në gjykatë.
Ngjarja vjen pas një periudhe të vështirë personale. Në qershorin e kaluar, Allman ishte shtruar për disa ditë në një klinikë në Kaliforni pas një episodi të rëndë shëndetësor që lidhej me substanca. Cher, sot 79 vjeçe, ka tentuar edhe më herët ta ndihmojë të birin. Në fund të vitit 2023 ajo kishte kërkuar në gjykatë një formë kujdestarie ligjore për të, por më pas e tërhoqi kërkesën pas një marrëveshjeje private.
Elijah Blue Allman është djali i Cher nga lidhja me Greg Allman, anëtar i The Allman Brothers Band. Ai njihet edhe me emrin artistik P. Exeter Blue dhe është ndër themeluesit e grupit metal Deadsy. Nga ana e babait, ai ka edhe katër gjysmëvëllezër e gjysmëmotra: Devon, Layla, Michael dhe Delilah. Cher është gjithashtu nënë e Chaz Bono, i lindur në vitin 1969 nga martesa me Sonny Bono.
Në të kaluarën, Elijah ka folur hapur për raportin e tij me substancat, duke deklaruar se i është afruar që në moshë të vogël dhe se kjo varësi e ka futur shpesh në telashe.
Edhe këtë herë, ashtu si më parë, Cher nuk ka dhënë komente publike për ngjarjen, megjithatë ajo ka folur dikur për instinktin e një nëne për të mos hequr dorë nga fëmijët e saj: ka thënë se të jesh nënë do të thotë të përpiqesh t’i ndihmosh fëmijët “në një mënyrë a në një tjetër”, sepse kështu është vetë dashuria e prindit, mes gëzimit dhe ankthit.
Sipas artikullit, Elijah nuk është vetëm në këtë periudhë, pasi edhe ish bashkëshortja e tij, Marieangela King Allman, vazhdon të jetë një prani e qëndrueshme në jetën e tij. Ajo është shprehur se, pavarësisht vështirësive të së shkuarës, një gjë ka mbetur e pandryshuar: përkushtimi i tij ndaj kthjelltësisë dhe besnikëria ndaj njerëzve që do. Sipas saj, ai vazhdon të përballet me betejat e brendshme, por nga një pozicion force, jo dorëzimi, dhe ajo e konfirmon se mbështetja e saj për të do të jetë e pandërprerë.
