
Modelja Beniada Nishani ka konfirmuar se është në një lidhje dashurie dhe se në jetën e saj tashmë ka një person të rëndësishëm.
Lajmin e dha mbrëmjen e sotme në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku u shpreh se është shumë e lumtur. Edhe pse preferoi të mbetet diskrete dhe të mos zbulojë identitetin e partnerit, Beniada tregoi se ai është italian dhe se njihen prej vitesh.
“Nuk jam single. Është dikush në jetën time. Nuk kam akoma një propozim, as një unazë. Nuk i dihet asnjëherë. Unë jam vajzë e çiltër. Por nga ana personale jam munduar të jem e tërhequr. Të mos i tregoj gjërat pa qenë zyrtare. Është i huaj, është italian. Duhet që mashkulli të propozojë, pastaj vendosim ne. Ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur.
Kur gjërat i merr me pozitivitet, ecin më mbarë. Njihemi prej kohësh, kemi qenë shokë prej vitesh. Pastaj mori guximin…sepse jam tradicionale shqiptare me të vjetrën. Kemi disa vite që njihemi”, deklaroi Beniada.
Në deklaratën e saj, Beniada nënvizoi se ka zgjedhur që jetën personale ta mbajë larg ekspozimit derisa gjërat të jenë më të qarta dhe “zyrtare”, ndërsa la të kuptohet se e sheh këtë raport me qetësi dhe pozitivitet. Ajo shtoi se marrëdhënia ka nisur pas një njohjeje të gjatë, pasi kanë qenë shokë prej vitesh, dhe se tashmë ndihet në një fazë shumë të mirë emocionale.
