Motra e DJ Gimbos, Finesa, ishte e ftuar në studion e emisionit “Fan Club”, ku komentoi rrugëtimin e vëllait të saj brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 5”, si edhe raportet që po krijohen rreth tij gjatë lojës.

Gjatë bisedës, moderatorja Kiara Tito e pyeti Finesën edhe për Gjestin, fituesin e edicionit të katërt të reality showt, i cili njihet si shok i ngushtë i Gimbos. Sipas Finesës, komunikimi me të është i shpeshtë dhe ai e ka mbështetur vëllain e saj që nga fillimi.

“Po, patjetër. Kontakt me Gjestin kemi pothuajse vazhdimisht. Gjesti që nga fillimi ka mbështetur Gëzimin në këtë rrugëtim që ka marrë.”

E pyetur nëse Gjesti ka qenë pro që në momentin e parë, Finesa u shpreh se mbështetja ka qenë e natyrshme, duke theksuar edhe kujdesin që ai tregon ndaj familjes së tyre.

“Po, patjetër që duhej të ishte pro, se jashtë kanë datat bashkë. Është dashur që të kordinoheshin. Ai e përkrah vazhdimisht. Për ne është përkrahje edhe kur merr mamin në telefon dhe e pyet ‘si je, a je mirë, a ke nevojë për diçka?’.”

Në lidhje me lojën e Gimbos, Finesa tha se sipas asaj që i është përcjellë, Gjesti mendon se vëllai i saj ende nuk po e jep të gjithë energjinë që publiku e njeh.

“Po i mungon pak energji, po i mungon pak puls, nuk është Gëzimi që jemi mësuar me pa vazhdimisht me e pa edhe në shtëpi.”

Në studio u prek edhe tema e Selinës dhe raportit të saj me Gimbon, një nga dinamikat më të komentuara të ditëve të fundit. Pyetur për postime që ishin interpretuar si ironi ndaj Selinës, Finesa tha se nuk kanë diskutuar konkretisht këtë raport me Gjestin, por la të kuptohet se ai do që Gëzimi të ketë më shumë lojë, duke e përshkruar si “real”.

“Nuk e di, nuk është se kemi biseduar konkretisht raportin e Selin me Gëzimin. E di që Gjesti tenton që Gëzimi të ketë pak lojë, se ai është real.”

Finesa u ndal edhe te ndjesia e familjes për faktin që po e shohin Gimbon në një situatë të tillë, duke e quajtur herën e parë që e shohin “pas një vajze”, dhe pranoi se për ta ndonjëherë është e çuditshme dhe e sikletshme, por edhe më e qetë sa kohë ai po e shijon dhe nuk ka sjellje të këqija apo debate të ashpra.

“Është hera e parë që e shohim Gimbon me dikë, e çuditshme, ndonjëherë edhe e sikletshme për ne me e pa vëllain pas një vajze. Por prapë mirë, e rehatshme përderisa po e vëmë re se po e shijon, nuk po ka sjellje të këqija, ndonjë debat të ashpër. Për ne më e rehatshme kështu.”

Sa i përket përshtypjes së familjes për Selinën, Finesa u shpreh qartë se u pëlqen, duke e cilësuar “vajzë e edukuar”.

“Ju pëlqen, është vajzë e edukuar.”

E pyetur nëse e shohin “nuse në Kosovë”, Finesa u përgjigj me humor, duke thënë se ende nuk e kanë pyetur nënën, e cila sipas saj jep vendimin përfundimtar.

“Nuk kemi pyetur ende, aty vendimet përfundimtare i jep mami, nuk kemi pyetur ende.”

Në fund, u diskutua edhe një nga dyshimet që është ngritur shpesh nga banorë dhe publiku, nëse Selina po e përdor Gimbon për të ecur përpara në lojë. Finesa dha një përgjigje të kujdesshme, duke thënë se ndonjëherë duket sikur Selina përpiqet të dalë nga situatat me Gëzimin, por nga ana tjetër, sjellja e tyre pas Prime dhe gjatë ditës e bën situatën “konfuze”, sepse duket sikur raporti shkon natyrshëm dhe pa sforco.

“Nuk e di ça të them Kiara. Shpesh duket sikur ka situata që mundohet ta nxjerrë veten nga situatat me Gëzimin, pastaj raporti i tyre pas Prime është raporti gjatë ditës që të bën konfuz komplet, sikur çdo gjë shkon rrjedhimisht, natyrshëm, e shijojnë. Duket se janë vetvetja, janë duke e shijuar.”