Aktori i mirënjohur i humorit, Albano Bogdo, ka ndarë një rrëfim personal në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për divorcin e prindërve të tij dhe mënyrën si kjo ngjarje e ka prekur që në fëmijëri.

Sipas Bogdos, ndarja erdhi në një periudhë të vështirë për familjen, vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së gjyshit të tij. Ai tregoi se për të, lajmi nuk kishte ardhur i paralajmëruar dhe se në shtëpi nuk kishte vënë re shenja të një krize.

“Jo, nuk e kisha pritur. Nuk dallohej në shtëpi”, tha ai, kur u pyet nëse kishte sinjale që prindërit po shkonin drejt ndarjes.

Në rrëfimin e tij, Bogdo u ndal edhe te figura e të atit, të cilin e përshkroi si njeri “korrekt” dhe “shumë gjakftohtë”. Ai kujtoi mënyrën si u komunikua vendimi i babait për t’u larguar nga familja dhe si e ka përjetuar ai atë moment.

“U çua një ditë dhe iku. Tha ‘nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër’ dhe bëri zgjedhjen e tij. Kush jam unë ta gjykoj? Nuk po e gjykoj, thjesht po tregoj çfarë ndodhi”, u shpreh Bogdo.

Një tjetër pjesë e rrëfimit u fokusua te ajo që ai e cilësoi si përballja më e vështirë në atë moshë: reagimi i rrethit shoqëror dhe pritshmëritë që iu vendosën mbi supe, ndonëse ishte ende fëmijë. Bogdo tregoi se në vend të mbështetjes emocionale, ai u përball me një “rol” të imponuar.

“Vinin të gjithë dhe më thanë: ‘tani je burri i shtëpisë, duhet t’i vësh shpatullat shtëpisë’. Unë s’kisha mbushur 12 vjeç. Isha shumë i vogël për t’i vënë shpatullat shtëpisë. “T’i vije shpatullat shtëpisë do të thoshte të filloje punë e të lije shkollën. Nuk kishte zgjidhje të mesme.”

Në vijim, aktori ndau edhe një nga momentet më prekëse të historisë së tij personale, kur foli për marrëdhënien me të ëmën dhe për premtimin që i kishte bërë në atë periudhë.

“I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do jemi shokë të ngushtë derisa të vdesë njëri nga ne. Unë nuk do të të lë asnjëherë vetëm”, rrëfeu ai.

Bogdo theksoi se vitet pas divorcit kanë qenë të vështira si ekonomikisht, ashtu edhe emocionalisht, por sipas tij, ato përvoja e kanë formësuar si njeri dhe si artist. Rrëfimi i tij u prit si një moment i rrallë reflektimi, ku përtej humorit me të cilin njihet nga publiku, ai solli një histori personale për barrën që mund t’i vendoset një fëmije kur rrethanat familjare ndryshojnë papritur.