
Emërimi i Stefano De Martino-s si prezantues dhe drejtor artistik i Sanremos 2027, i shpallur drejtpërdrejt gjatë finales, po merr shumë pëlqime. Por bashkë me entuziazmin, ka edhe pikëpyetje: fakti që Rai1 nuk e ka “testuar” kurrë vërtet De Martino-n në prime-time gjatë vitit të fundit, mbetet një kufizim.
Fakti që Sanremo vendosi për herë të parë ta shpallë prezantuesin dhe drejtorin artistik të edicionit të ardhshëm brenda finales madje duke rrezikuar të errësojë edhe vetë fituesin tregon sa shumë beson Rai te Stefano De Martino dhe sa e gatshme është t’i japë gjithë mbështetjen që të dalë mirë. Ai është i ri, por ka dëshirë dhe energji për të bërë. Plus, ka “bekimin” e një publiku të gjerë, që e sheh si një figurë të së ardhmes së televizionit publik.
Sigurisht, ka edhe nga ata që dyshojnë nëse Stefano i ka aftësitë e duhura për të përzgjedhur këngët në garë. Por siç thuhet shpesh, askush nuk lind “i gatshëm” për Sanremon: edhe emra që sot duken të padiskutueshëm, në fillim nuk dinin nga t’ia nisnin. Në këtë sens, vendimtare do të jetë që ai të rrethohet me njerëzit e duhur, që dinë ta këshillojnë dhe ta orientojnë në zgjedhjet artistike.
Në krah të tij, siç u njoftua në konferencën e fundit për shtyp të Sanremos 2026, do të jetë edhe Fabrizio Ferraguzzo menaxher dhe figurë e industrisë diskografike italiane, i lidhur me sukseset ndërkombëtare të Måneskin i cili do të udhëheqë një ekip konsulentësh.
Por pikërisht këtu vjen kritika kryesore ndaj Rai-t: gjatë vitit të fundit, ndryshe nga rasti i Alessandro Cattelan, televizioni publik nuk e ka provuar kurrë seriozisht De Martino-n në prime-time, për të kuptuar realisht pikat e tij të forta dhe të dobëta. Duke e mbajtur të pozicionuar kryesisht në “Affari tuoi” dhe duke e dërguar në Rai2 për speciale më të gjata madje një moment u fol edhe për transferimin e “Stasera tutto è possibile” në Rai1, por më pas u tërhoqën Rai në njëfarë mënyre e ka “mbrojtur” yllin e vet nga ndonjë rrëshqitje e mundshme. Por nëse nuk e teston fytyrën tënde kryesore në orarin më të vlefshëm, si e kupton se çfarë të pret në Ariston dhe ku duhet të punosh?
De Martino është djalë i zgjuar: në këtë vit do të studiojë, do të përgatitet dhe do të bëjë gjithçka për të mos u kapur “në befasi”. Por shpresa është që ai të ketë edhe përulësinë për të kërkuar këshillë nga njerëz më me përvojë dhe të jetë gati të rishikojë veten, edhe kur kjo do të thotë të bëjë ndonjë hap pas kur duhet.
Një tjetër dyshim lidhet me vetë stilin e tij televiziv: deri tani, De Martino nuk është shfaqur si “solist” i pastër, por si një figurë që funksionon shumë mirë në çift si “spalla” për komedianë të ndryshëm, si Herbert Ballerina, Biagio Izzo, Francesco Paolantoni dhe madje edhe qeni Gennarino, që kush e di, mund ta marrë me vete edhe në Sanremo.
Rreziku, megjithatë, është real: një lloj humori që punon në pranverë në Rai2 apo në “access prime-time” në Rai1, mund të tingëllojë i çuditshëm, jashtë kohe, ose i papërshtatshëm në një skenë si Ariston, ku ritmi dhe toni kërkojnë tjetër lloj ekuilibri.
Në fund, gjithçka do të varet nga mënyra si Stefano do t’i luajë lëvizjet e tij nga tani deri atëherë. Dhe shpresa është që ai të vendosë të mbështetet te prani femërore të forta emra si Emanuela Fanelli, Brenda Lodigiani, Geppi Cucciari, Michela Giraud, Giulia Vecchio që mund ta ndihmojnë ta çojë “anijen” (ose “kroçerën”, varet si do ta konceptojë) deri në port, pa humbur kontrollin e drejtimit.
