
Fitorja e Sal Da Vinci-t në Festivalin e Sanremos 2026 me këngën “Per sempre sì” nuk është vetëm një triumf artistik. Është edhe një revansh, një kthim me kokën lart pas një rrugëtimi të gjatë ku ka pasur shumë punë, shumë refuzime dhe shumë plagë të heshtura.
Pjesëmarrja e tij e parë në Sanremo, në vitin 2009, me “Non riesco a farti innamorare”, ishte pothuajse film: fillimisht u eliminua, më pas u rikthye në garë dhe në fund u ngjit në podium si i treti. Midis asaj kohe dhe sot, një rrugë e gjatë “gavetash” dhe shumë vite ku suksesi dukej sikur e anashkalonte, pavarësisht se karrierën e kishte nisur që fëmijë, pranë të atit, Mario Da Vinci, një nga figurat më të njohura të “sceneggiata”-s napolitane.
Ai ka treguar se fëmijëria e tij nuk ishte thjesht këngë: në fillim ai recitonte në teatër dhe u rrit mes aktorëve të mëdhenj të skenës napolitane. Madje, në një nga shfaqjet, luajti edhe një histori që lidhej me vëllain e tij Gino, muzikant me probleme të shikimit. Ishin fundjava me ritëm të çmendur, me disa shfaqje në ditë dhe salla të mbushura.
Në ato vite, kujton edhe një episod të vogël që tregon sa e gjallë ishte ajo botë: Pino Daniele shoqëronte nënën e tij në teatër dhe mërzitej me emocionet e saj, sepse ajo qante para shfaqjeve dhe qante edhe kur dilte prej tyre.
Por jeta e spektaklit nuk është gjithmonë dritë. Kur fati iu kthye shpinën të atit, edhe njerëzit u zhdukën. Ai kujton se shumë nga ata që kishin punuar me familjen i braktisën, ndërsa ai, ende shumë i ri, e pa të atin të vuante dhe e gjeti veten duke i fshirë lotët, vetëm, në një situatë të ashpër për t’u përballuar. “Ishte njeri i mirë, kishte ndihmuar të gjithë,” nënkupton ai, dhe megjithatë, në ditët e vështira, shumë njerëz nuk qëndruan.
Që nga vitet ’80, Sal Da Vinci nisi të këndojë si solist, të publikojë albume e këngë, të luajë në disa filma, por sidomos të punojë në teatër. Edhe pse karriera vazhdonte, nuk ishin vite të lehta. Ai e thotë hapur: ka rënë dhe është ngritur shumë herë. Ka pasur periudha kur nuk kishte as mundësi të blinte qumësht për fëmijët. E megjithatë, vazhdonte t’i thoshte vetes: “qëndro, rezisto”.
Vështirësitë nuk qenë vetëm profesionale. Në jetën private, ai përjetoi momente shumë të rënda lidhur me dy fëmijët. Kur vajza e tij Annachiara lindi me një problem të rëndë shëndetësor, dhe më pas kur djali Francesco u sëmur me meningjit, frika u bë e padurueshme. Ai kujton se ishin shumë të rinj, thuajse “fëmijë” edhe vetë si prindër, dhe kjo e bënte gjithçka edhe më të vështirë. Në spitalin Santobono, ai tregon se u lut me gjithë shpirt, i dërrmuar nga paniku, dhe se nuk do ta harrojë kurrë as mjekun që e ndoqi atë situatë.
Në krah të tij, prej më shumë se tridhjetë vitesh, është Paola Pugliese: një prani e qetë, por thelbësore. Larg botës së showbiz-it, ajo është njeriu që e ka mbajtur në tokë në kohët kur gjithçka lëkundej. Ai e kujton me humor fillimin e njohjes së tyre, kur ishin adoleshentë: ai u mundua “me çdo mënyrë” t’i bënte përshtypje, por ajo nuk ia vinte veshin dhe madje e quante “criaturo” “kalama”. Ai nguli këmbë. E përshkruan si një oborr të tërë “alla napoletane”, plot situata e përpjekje, derisa ajo më në fund “u dorëzua”.
U martuan në vitin 1992 dhe ndërtuan një familje që sot është pika e tij e fiksuar: dy fëmijë, Francesco dhe Annachiara, dhe tre nipër. Në historinë e tij, Paola nuk është thjesht një detaj romantik, por konstanta që ka kaluar bashkë me të në sukses, rënie dhe ringritje. Njeriu që ishte aty kur mungonte gjithçka, dhe që vazhdon të jetë aty sot, në momentin e revanshit sanremes.
Kur mori lajmin se ishte përzgjedhur mes “big”-ëve të Sanremos, ai mendoi se ishte si një dhuratë, si një shenjë se “dikush lart” e donte dhe po i kthente diçka pas gjithë atyre viteve pune. Por edhe në atë gëzim të madh, ndodhi diçka që e tronditi: ai telefonoi nënën, 82 vjeçe, për t’i dhënë lajmin dhe emocioni i saj ishte aq i fortë sa ajo u ndje keq. Ai thotë se ajo sheh tek ai figurën e të atit.
Dhe në një lumturi kaq të madhe, ai nuk lë vend për hakmarrje ndaj atyre që e kanë nënvlerësuar. Përkundrazi, i kthehet një shprehjeje të gjyshes së tij: “Më mirë vonë se kurrë”. Sepse kur gjërat vijnë pas lodhjes dhe vuajtjes, thotë ai, janë edhe më të bukura. Ka rënë shumë herë, por vazhdon rrugën e vet. Dhe kjo fitore, për të, ka shijen e një rikthimi që nuk është vetëm në skenë, por edhe në jetë.
