Sean “Diddy” Combs do të lirohet nga burgu një muaj e gjysmë më herët, ndërsa vijon betejën për të apeluar dënimin e tij katërvjeçar.

Sipas të dhënave nga Byroja Federale e Burgjeve, data e lirimit të Combs është shtyrë nga 4 qershor 2028 në 25 prill 2028. Ndryshimi vjen pasi ai u pranua në nëntor në një program rehabilitimi për abuzimin me substanca, i cili mund të çojë në shkurtimin e dënimit.

Në një deklaratë në kohën kur reperi u pranua në program, përfaqësuesi i tij u shpreh se “z. Combs është pjesëmarrës aktiv në Programin Rezidencial për Abuzimin me Substanca dhe e ka marrë seriozisht procesin e rehabilitimit që në fillim. Ai është plotësisht i angazhuar, i fokusuar te rritja personale dhe i përkushtuar ndaj ndryshimit pozitiv”.

Avokati dhe përfaqësuesi i tij nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Kjo nuk është hera e parë që data e lirimit të tij ndryshon. Combs, i cili po vuan dënimin në Institutin Federal Korrektues Fort Dix në Nju Xhersi, fillimisht pa dënimin e tij të zgjatej nga 8 maj 2028 në 4 qershor 2028 në nëntor 2025.

Rregullimi i asaj kohe erdhi pasi këngëtari i hitit “I’ll Be Missing You” dyshohet se kishte shkelur disa rregulla të burgut. Sipas raportimeve, ai pati probleme me autoritetet për konsumimin e alkoolit të prodhuar në mënyrë artizanale brenda burgut. Gjithashtu u raportua se ishte përfshirë në një telefonatë treshe, gjë që është e ndaluar.

Combs pretendoi se nuk ishte në dijeni që telefonatat me palë të tretë nuk lejohen. Përfaqësuesi i tij mohoi që telefonata procedurale të ishte e papërshtatshme, duke argumentuar se ajo mbrohej nga privilegji avokat-klient.

Data e re e lirimit vjen ndërsa Combs ka depozituar apel kundër dënimit të tij katërvjeçar në dhjetor. Avokatët e tij kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe ose rrëzimin e vendimit, ose uljen e dënimit.

Në dokumentet e apelimit, Combs pretendon se prokurorët nuk arritën të provonin çështjen kundër tij, ndërsa avokati i tij ka argumentuar se gjyqtari vendosi një dënim të ashpër që cenon të drejtat e tij kushtetuese.

Prokurorët iu kundërpërgjigjën në shkurt, duke kundërshtuar kërkesën për apel.

Combs ndodhet në burg që prej arrestimit të tij në shtator 2024. Ai u akuzua për komplot në kuadër të një organizate kriminale, trafikim seksual me forcë, mashtrim ose detyrim, si dhe transportim me qëllim përfshirjen në prostitucion.

Pas një gjyqi dy mujor, ai u shpall fajtor për dy akuza për transportim me qëllim përfshirjen në prostitucion dhe u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera.