Gjithçka nisi pasi stilisti i saj prej vitesh, Law Roach, deklaroi në tapetin e kuq të Actor Awards më 1 mars se martesa e Zendaya-s dhe Tom “ka ndodhur tashmë”, duke lënë të kuptohet se çifti e ka mbajtur ceremoninë larg syve të publikut. Një ditë më pas, Claire Stoermer, mamaja e Zendaya-s, shpërndau në Instagram Story videon e intervistës ku Roach bën këtë pohim dhe reagoi me një emoji duke qeshur. Krahas saj, ajo shkroi edhe një fjali të shkurtër, pak enigmatike: “E qeshura….”.

Komentet e Roach ndezën rrjetet sociale, pasi Zendaya dhe Tom, që konfirmuan lidhjen në vitin 2021, njihen për faktin që e ruajnë shumë privatësinë e tyre. Vetë Tom e ka thënë më parë se ata janë tepër mbrojtës me marrëdhënien dhe duan ta mbajnë sa më “të shenjtë” dhe personale, duke theksuar se nuk i detyrohen askujt shpjegime.

Roach, ndërkohë, kishte lënë të kuptohej edhe më herët se Zendaya do të ishte “një nuse sekrete” kur t’i vinte dita e saj, duke thënë se procesi nuk kishte nisur ende dhe se ata kishin kohë, pasi Zendaya ishte e angazhuar me shumë projekte filmike.

Interesi u shtua edhe më shumë kur, rreth dy javë para deklaratës së stilistit, Zendaya u pa në publik me një unazë të thjeshtë floriri në gishtin e unazës në dorën e majtë, ndryshe nga unaza e fejesës që kishte bërë bujë më parë, një diamant i madh 5.02 karatësh i punuar nga dizenjuesja britanike Jessica McCormack.

Pavarësisht nëse janë martuar vërtet apo jo, Tom ka folur shpesh me admirim për Zendaya-n, duke thënë se ndihet më fat që e ka në jetën e tij dhe se të jesh në një marrëdhënie me dikë që e kupton të njëjtën botë dhe të njëjtat presione “vlen sa pesha e arit”.