Gazetarja e Euronews Albania, Lorida Mani, pati mundësi këtë të martë të komunikojë me përfaqësuesit e kampit Alshraf 3 që ndodhet në Manzë të Durrësit.

Sipas gazetares, përfaqësuesit e kampit janë shprehur se opozita iraniane që ndodhet aty nuk ndihet e frikësuar për një sulm të mundshëm nga Teherani dhe se vazhdojnë jetën normalisht.

Ajo theksoi se në këtë kamp janë rreth 3,200 banorë, të cilët sipas gazetares e shohin gjithë këtë zhurmë të luftës thjesht si propagandë dhe nuk ndihen të kërcënuar nga mundësia e një sulmi.

“Kampi Alshraf 3 në Manzë, strehon opozitën iraniane dhe ka mbi 3,200 banorë. Përfaqësuesit e kampit theksuan se e gjithë zhurma e kësaj lufte është propagandë, dhe jetesa e tyre vijon normalisht.

Brenda kampit janë të përmbushura të gjitha kushtet minimale të jetesës, duke përfshirë shkolla dhe spitale, edhe pse në këtë kamp nuk ka fëmijë. Përfaqësuesit e kampit pohojnë se nuk ndihen të frikësuar dhe e shohin mundësinë e një sulmi ndaj kampit në zero.

Sipas ekspertëve, nuk është e mundur një sulm ushtarak, ndërsa ajo që mund të ndodhë është një presion i mundshëm përmes sulmeve kibernetike, të cilat Shqipëria i ka përjetuar edhe më parë dhe nuk do të përbëjnë një risi.

Masat e sigurisë në këtë kamp janë vetëm ato të sigurisë private të kampit dhe nuk ka masa emergjente shtesë. Deri më tani, as autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një njoftim për rritjen e sigurisë në këtë kamp. Informacioni nga ana e tyre mbetet hermetik, me të dhëna të pakta, por theksohet se banorët nuk ndihen të rrezikuar”, u shpreh gazetarja.