
Sipas raportimeve që po qarkullojnë në rrjet, Cristiano Ronaldo mund të ketë lënë Arabinë Saudite dhe të jetë nisur drejt Europës, pas incidentit të fundit në Riad ku u raportua për një sulm me dron ndaj ambasadës amerikane. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por lajmet thonë se futbollisti është kufizuar vetëm në stërvitje në palestër me Al Nassr dhe më pas ka udhëtuar, së bashku me Georgina Rodriguez dhe fëmijët.
Në qendër të këtyre aludimeve është edhe lëvizja e avionit privat të Ronaldos, Bombardier Global Express me regjistrimin LX-GOL dhe kodin SVW7B, i cili thuhet se është nisur nga Riadi dhe ka zbritur në aeroportin Madrid-Barajas. Megjithatë, nuk është e qartë nëse Ronaldo, Georgina dhe pesë fëmijët e tyre ishin vërtet në bord.
Kjo situatë po lidhet me klimën e tensionuar në rajon, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimit të përplasjes mes palëve, çka do ta bënte një lëvizje të tillë një masë të kuptueshme sigurie për familjen e tij. Deri në një reagim zyrtar nga vetë Ronaldo apo nga klubi i tij, gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve.
