Selena Gomez dhe bashkëshorti i saj, Benny Blanco, kanë folur hapur për mënyrën se si e menaxhojnë bashkë diagnozën e saj me çrregullimin bipolar.

Gomez ishte e ftuar të martën në episodin e podcast-it të Blanco-s, “Friends Keep Secrets”, ku në një bisedë me mikun e tij Lil Dicky dhe bashkëshorten e këtij të fundit, Kristin Batalucco, ajo u ndal te vështirësitë që ka kaluar me shëndetin mendor. Këngëtarja e përshkroi procesin e diagnozës si “shumë të komplikuar”, duke treguar se gjatë rrugëtimit të saj ka kaluar tek disa terapistë dhe ka kryer katër rehabilitime të ndryshme.

Nga ana e tij, Blanco tha se bashkëshortja e tij ka pasur herë pas here momente “manie”, të cilat në fillim as nuk i kuptonin saktë se çfarë ishin. Sipas tij, ndodh që Gomez ta kuptojë vetëm pasi episodi ka kaluar dhe në disa raste as nuk e mban mend qartë çfarë ka ndodhur. Ai e quajti një situatë “delikate”, pasi shpesh nuk është e lehtë të flasësh me dikë në momentin kur është duke e përjetuar.

Vetë Gomez u shpreh se nuk ndihet e turpëruar për këto episode dhe se tani, falë diagnozës, i dallon më shpejt shenjat, gjë që e ndihmon të reagojë më mirë. Ajo theksoi se mbështetja e një partneri që e kupton “temperaturën” e gjendjes dhe di si të përshtatet, e bën procesin më të menaxhueshëm dhe më të qartë me kalimin e kohës.

Gomez shtoi gjithashtu se diagnoza e ka ndihmuar të jetojë me “lirshmëri” dhe t’i kuptojë më mirë reagimet e saj në situata të ndryshme. Ajo rikujtoi se më parë vepronte shpesh nga frika, nga dashuria apo nga pasioni në mënyrë të paqëndrueshme.

Këngëtarja e bëri publik çrregullimin bipolar në vitin 2020, pas një periudhe të vështirë që kulmoi me një krizë publike në vitin 2018. Në deklarata të mëparshme, Gomez ka treguar se në ditët kur nuk ndihet mirë, rrethohet vetëm me një ose dy persona që u beson, sepse prania e njerëzve të duhur e ndihmon të ndihet më e sigurt. Ajo ka thënë gjithashtu se tashmë është “e mjekuar siç duhet” dhe se përdor edhe ndryshimet e temperaturës (si uji i ftohtë ose ngrohja) si një mënyrë qetësimi gjatë përkeqësimeve fizike dhe mendore.