Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se bashkësia ndërkombëtare është plotësisht në dijeni të konfliktit të vazhdueshëm në Iran dhe se kriza nuk do të mbetet e kufizuar në rajon. Me anë të një postimi në X, Ministria e Jashtme e Izraelit ka publikuar hartën se deri në çfarë vendesh arrijnë raketat balistike të Iranit. 

“Bota nuk është e verbër; të gjithë e shohin këtë, dhe nëse zgjedh të mbyllë sytë ose të bëjë sikur është injorante, do të përballet me pasoja”, tha Baghaei, duke paralajmëruar se lufta në Iran mund të ndikojë së shpejti në Evropë dhe në botën e gjerë.

Një grafik i publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Mbrojtje tregon një hartë me rreze goditjeje që variojnë nga 300 deri në 2,500 kilometra, duke përfshirë pjesë të konsiderueshme të Europës Juglindore brenda zonës së mundshme të kërcënimit. Raketat balistike me rreze të mesme dhe të gjata, si Shahab-3 dhe Ghadr-110, konsiderohen më të rrezikshmet, pasi mund të arrijnë deri në 2,000 kilometra.

Sipas hartës, rreziku përfshin kryeqytete si Athina, Sofja dhe Bukureshti, si dhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në rrezen më të madhe teorike, mund të përfshihen edhe kryeqytete si Budapesti, Vjena, Varshava dhe Bratislava, duke marrë parasysh distancën maksimale të raketave.