
Reperi Mossi (Gramos Krasniqi) është arrestuar nga Policia e Kosovës, pas akuzave për dhunë fizike ndaj gazetarit Burim Pacolli në Prishtinë. Sipas informacionit të deritanishëm, bashkë me të janë arrestuar edhe dy persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në sulm.
Ngjarja lidhet me një video që Pacolli kishte postuar në Instagram, ku rendiste disa nga “diss”-et më të forta të reperëve shqiptarë, dhe ku përmendej edhe rivaliteti i hershëm mes Butës dhe Mossit. Prej kohësh, të dy reperët kanë pasur përplasje artistike dhe i janë kundërpërgjigjur njëri-tjetrit përmes vargjeve në këngë.
Pas sulmit, Mossi reagoi në rrjete sociale duke pretenduar se gjithçka kishte nisur sepse ai kishte refuzuar të jepte një intervistë për Pacollin dhe sipas tij kjo e kishte shtyrë gazetarin të “reagonte” ndaj tij. Ai vuri në diskutim edhe mënyrën si ishte trajtuar puna e tij, veçanërisht pas një tjetër videoje ku Pacolli komentonte se reperi “nuk sjell më risi” në tekst e muzikë.
Në një postim, Mossi shkruante se kritika sipas tij ishte “e tepërt dhe personale”, duke shtuar edhe një frazë kërcënuese: se gazetari “mendoi që si gazetar është i paprekshëm” dhe se “s’do të jetë asnjëherë i paprekshëm”.
Nga ana tjetër, në reagimin e tij zyrtar, Pacolli mohoi që sherri të kishte lidhje me refuzimin e një ftese për intervistë. Pas kësaj, situata u acarua edhe më shumë në rrjet, me një tjetër reagim të Mossit që u interpretua si kërcënim i hapur, ndërsa gazetari pretendon se ka marrë edhe mesazhe presioni për të fshirë postimin dhe për të mos e përmendur më.
Me arrestimin e Mossit dhe dy personave të tjerë, tani pritet vendimi i organeve të drejtësisë për hapat e mëtejshëm dhe mënyrën si do të trajtohet rasti.
