Pritjes për sezonin e ri të Ferma VIP po i vjen fundi dhe atmosfera po nxehet çdo ditë. Formati, që ka arritur të krijojë një publik besnik dhe diskutime të shumta në rrjet, pritet të rikthehet këtë herë me disa risi që kanë shtuar edhe më shumë kureshtjen e publikut.

Një nga lajmet më të komentuara është rikthimi në ekran i Arbana Osmanit, një figurë që publiku e lidh prej vitesh me spektakle të mëdha televizive. Vetë prania e saj në drejtimin e programit është një arsye më shumë që pritshmëritë për këtë sezon të jenë të larta.

Por surprizat nuk mbarojnë këtu.

Sipas informacioneve që ka siguruar Revista Class, një nga emrat që do t’i bashkohet kastit të ri të Ferma VIP është sipërmarrësja dhe blogerja e njohur Sara Karaj. Një emër që prej kohësh është bërë i njohur për publikun shqiptar, sidomos në botën e rrjeteve sociale dhe të sipërmarrjes në fushën e bukurisë.

Sara është një nga ato figura që ka ndërtuar një profil publik përtej ekranit. Me biznesin e saj në industrinë e kozmetikës, me postimet e shumta në Instagram dhe me një kanal të vetin në YouTube, ajo ka arritur të krijojë një komunitet të madh ndjekësish që e ndjekin për stilin e jetës, këshillat e bukurisë dhe energjinë pozitive që transmeton.

Publiku është mësuar ta shohë Sarën në një ambient të kuruar, mes përmbajtjeve lifestyle dhe sipërmarrjes. Ndërsa tani, ajo pritet të përballet me një realitet krejt tjetër: një format që kërkon durim, përshtatje dhe aftësi për të bashkëjetuar me të tjerë në kushte krejt ndryshe nga përditshmëria e zakonshme.

Ky kontrast mes figurës së saj si sipërmarrëse dhe blogere dhe një reality show që vendos personazhet në situata reale e spontane është pikërisht ajo që e bën pjesëmarrjen e saj kaq intriguese.