Vetëm pak kohë pas përfundimit të eksperiencës së tyre në Big Brother VIP Albania, duket se raporti mes Keijsit dhe Inës nuk është më ai që fansat panë gjatë dhe menjëherë pas reality show-t.

Dyshja, që brenda shtëpisë krijoi një afrimitet të dukshëm dhe që edhe pas daljes nga programi është parë shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit, duket se së fundmi po mbajnë një distancë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga ndjekësit në rrjetet sociale.

Detaji që ndezi menjëherë dyshimet ishte fakti se Keijsi dhe Ina nuk ndiqen më në Instagram. Një lëvizje që, në kohën e rrjeteve sociale, shpesh interpretohet si sinjal i një krisjeje në marrëdhënie. Fansat nuk vonuan të komentojnë dhe të pyesin nëse raporti mes tyre ka marrë një tjetër drejtim.

Dyshimet u shtuan edhe më shumë mbrëmjen e kaluar, kur Keijsi u pa në një nga lokalet e Tiranës duke kaluar kohë me motrën e tij. Në pamjet dhe postimet që qarkulluan në rrjet, ajo që ra në sy ishte mungesa e Inës, e cila deri pak kohë më parë shfaqej shpesh pranë tij në dalje të ndryshme apo momente shoqërore.

Në javët pas përfundimit të “BBVA”, Keijsi dhe Ina ishin pothuajse gjithmonë bashkë, gjë që kishte bërë shumë ndjekës të spekulonin për natyrën e raportit të tyre dhe për një afërsi që mund të ishte më shumë se miqësi.

Megjithatë, deri në këtë moment asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për të sqaruar situatën. Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një distancim të përkohshëm mes tyre apo nëse marrëdhënia ka ndryshuar përfundimisht pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.