Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar nga një muaj paraburgim reperit Mossi dhe dy personave të tjerë të dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Burim Pacolli.

Vendimi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, në një rast që ka marrë vëmendje të madhe publike dhe mediatike.

Sipas komunikatës, ndaj të pandehurit G.K. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” në bashkëkryerje dhe “Kanosje”. Ndaj të pandehurit B.M. rëndojnë dyshimet për “Lëndim të lehtë trupor” në bashkëkryerje dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Ndërsa ndaj të pandehurit A.D. ekziston dyshimi për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Në njoftim thuhet se, pas dëgjimit të palëve dhe shqyrtimit të materialeve të lëndës, gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar. Për këtë arsye, të treve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në publik dhe ka marrë vëmendje të gjerë në media, sidomos pas përfshirjes së një figure të njohur të skenës muzikore si Mossi. Tashmë mbetet të shihet se si do të vijojë procedura gjyqësore dhe cilat do të jenë zhvillimet e radhës në këtë çështje.