Për sezonin e ri të Ferma VIP, zhurma ka nisur shumë përpara startit, nxitur sidomos nga ideja se Arbana Osmani do të jetë në drejtimin e formatit, një rikthim që vetë publiku e ka lexuar si sinjal të fortë për peshën që pritet të ketë ky sezon.

Ndërkohë, paralelisht me konfirmimin e pritur të Arbanës, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë që mund t’i bashkohen fermës më të komentuar të ekranit.

Një nga emrat që po përmendet më shumë është Fero. Sipas raportimeve, ai thuhet se ka zhvilluar një takim me Arbana Osmanin rreth dhjetë ditë më parë në një hotel në qendër të Prishtinës, çka është interpretuar si sinjal se hyrja e tij në format mund të jetë shumë pranë.

Po aq e komentuar është edhe Ermiona Lekbello, një personazh që di gjithmonë si të marrë vëmendjen. Sipas zërave që po qarkullojnë, ajo mund të lërë për pak luksin e jetës së saj në Beverly Hills për t’iu bashkuar sfidave të fermës.

Në listën e emrave të përfolur për këtë edicion përmenden edhe Jonida Maliqi, Soni Malaj, Mimoza Ahmeti dhe Romir Zalla. Një përzierje emrash nga muzika, arti dhe televizioni, që lë të kuptohet se produksioni po kërkon një kast me profile të ndryshme, por me potencial për dinamikë.

Një tjetër emër që ka bërë bujë është Akili, i njohur nga Portokallia. Sipas raportimeve, ai nuk do të jetë më pjesë e spektaklit të humorit dhe arsyeja lidhet pikërisht me angazhimin e tij në Ferma VIP 3. 

Dhe sikur të mos mjaftonin këta emra, në rrjet po përflitet fort edhe Einxhel Shkira. Por jo si konkurrente. Këtë herë, zërat e lidhin me një rol tjetër: opinioniste në “Ferma VIP”. Profili i saj publik, mënyra si reagon, si argumenton dhe si i thotë gjërat pa filtra, e bëjnë një emër që do t’i shtonte nerv dhe debat formatit. Zërat u shtuan edhe më shumë pas promos ku ajo shfaqet bashkë me partnerin e saj, DJ Dagz.