
ELLE Italia hedh në qarkullim një hipotezë që po bën xhiron e showbiz-it: Stefano De Martino mund të ketë pranë tij në Sanremo 2027 pikërisht Maria De Filippi, figurën që e ka mbështetur qysh në fillesat e tij dhe që ai vetë e konsideron si këshilltare, mike dhe një lloj busulle profesionale.
Sipas artikullit, De Martino është përzgjedhur si bashkëprezantues dhe drejtor kreativ i Sanremo 2027, një ngritje e fortë në karrierë për showman-in napoletan, ku Rai po i beson programin e saj më të rëndësishëm. Dhe pikërisht në një moment të tillë, ideja që ai të ndajë skenën me “pigmalionen” e tij duket më pak thashethem dhe më shumë skenar i mundshëm.
Maria De Filippi, që De Martino e ka quajtur shpesh njeriun që i pa “shkëndijën” i pari, ka qenë prej vitesh një pikë referimi për të. Në tekst përmendet edhe filozofia e saj e punës, këshillat që i ka dhënë Stefanit për të gjetur rrugën e vet dhe për të mos u robëruar nga “metodat”, një qasje që ai e ka kthyer në parim.
De Martino u bë i njohur fillimisht si balerin në “Amici 2009”, për t’u shndërruar më pas në një emër të përhershëm edhe në rubrikat e kronikës rozë, veçanërisht për historitë me Emma Marrone dhe më pas me Belen Rodriguez. Me kalimin e viteve, ai u konsolidua si prezantues, duke marrë projekte gjithnjë e më të mëdha në Rai, nga “Stasera tutto è possibile”, te “Affari tuoi”, e deri te angazhimi i ri në Sanremo 2027, nën “bekimin” e drejtuesit artistik në ikje, Carlo Conti.
Në sfond është edhe një tjetër element: flitet se Sanremo i këtij viti ka pësuar rënie në interes dhe audiencë, ndaj edicioni i ardhshëm pritet të riformatohet nga e para. Në këtë kuadër, rikthimi i Maria De Filippi-t në Ariston do të ishte jo vetëm një lëvizje simbolike, por edhe një “kartë e fortë” për të ringjallur kuriozitetin e publikut. Për më tepër, ajo do të kishte edhe një dimension tjetër: një urë mes Rai-t dhe Mediaset-it.
Në artikull përmendet se për Maria De Filippi-n, Sanremo nuk do të ishte territor i panjohur. Ajo ka qenë tashmë në Ariston në 2009 me Paolo Bonolis dhe në 2017 me Carlo Conti, duke sjellë një atmosferë më të qetë mes dy “shtëpive” televizive italiane. Tani pyetja që shtrohet është nëse De Martino do të jetë njeriu që e kthen sërish në atë skenë, pas dhjetë vitesh.
Për momentin, mbetet një hipotezë që po qarkullon me shumë zë, por përgjigjet pritet të vijnë në muajt në vazhdim, kur organizimi i Sanremo 2027 të hyjë realisht në fazën vendimtare.
