Në veri të Suedisë, në rajonin e Laplandës suedeze dhe pranë fshatit Harads, ndodhet Arctic Bath, një nga hotelet më të veçanta në botë. I vendosur mbi lumin Lule, ky hotel dhe spa është projektuar si një strukturë rrethore prej druri që duket sikur noton mbi ujë.

Në dimër ai “ngrin” bashkë me lumin, ndërsa në verë lundron mbi sipërfaqen e tij, duke krijuar një eksperiencë të rrallë në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Arkitektura e tij është frymëzuar nga mënyra tradicionale e transportimit të trungjeve të drurit nëpër lumenjtë e veriut të Suedisë, duke e bërë ndërtesën të duket si një grumbull trungjesh të mbledhura në formë rrethore. 

Në qendër ndodhet pishina e famshme me ujë të ftohtë, një ritual tipik nordik i lidhur me “wellness”-in dhe kontrastin mes saunës së ngrohtë dhe zhytjes në ujë të akullt. Hoteli ofron disa kabina mbi ujë dhe në breg, të dizajnuara me minimalizëm skandinav, materiale natyrore dhe dritare të mëdha që hapen drejt pyjeve dhe qiellit polar. 

Arctic Bath është konceptuar jo vetëm si një hotel luksi, por si një eksperiencë e plotë wellness-i në natyrë, ku spa-ja nordike, sauna tradicionale, trajtimet me produkte lokale dhe qetësia absolute e Laplandës krijojnë një nga destinacionet më të veçanta për udhëtarët që kërkojnë diçka ndryshe.