Ndalimi i Besart Kelmendit, i njohur për publikun si Gjesti, në mes të Prishtinës ka qenë një nga ngjarjet më të komentuara të showbizit shqiptar.

Artisti është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe aktualisht po përballet me një masë ndalimi prej 48 orësh, në kuadër të procedurave hetimore.

Sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë, posedimi ose mbajtja e paautorizuar e armëve konsiderohet vepër penale dhe mund të shoqërohet me pasoja të ndryshme ligjore. Kodi Penal parashikon disa skenarë, të cilët varen nga rrethanat konkrete të rastit dhe nga provat që mblidhen gjatë hetimit.

Nëse arma nuk është përdorur për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale dhe nuk ka rrethana rënduese, gjykata mund të vendosë gjobë, e cila mund të arrijë deri në 7,500 euro. Ndërsa në rastet më të rënda, ligji parashikon edhe dënim me burg, i cili mund të shkojë deri në pesë vite.

Megjithatë, praktika gjyqësore në Kosovë tregon se në shumë raste të armëmbajtjes së thjeshtë, sidomos kur nuk ka përdorim të armës dhe nuk ka rrethana agravante, vendosen masa më të buta si gjobat ose dënimet me kusht.

Sa i përket rastit të Gjestit, ndalimi 48-orësh konsiderohet një procedurë standarde hetimore. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pritet të analizojë provat dhe rrethanat e ngjarjes për të vendosur nëse çështja do të vazhdojë më tej në procedurë gjyqësore apo nëse do të merren masa të tjera ndaj artistit.

Për momentin, mbetet të pritet vendimi i organeve kompetente, ndërsa rasti ka marrë vëmendje të madhe publike për shkak të profilit të njohur të artistit.