
Pasditen e djeshme u raportua se artisti i njohur Gjesti ishte ndaluar nga autoritetet nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Por me kalimin e orëve, tabloja u bë më e gjerë.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj tij u përmendën edhe dy dyshime të tjera: “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Dhe pas këtyre formulimeve zyrtare, sipas burimeve të Prive by Liberta Spahiu, fshihet një konflikt i mbartur prej kohësh.
Sipas këtyre burimeve, situata ka degraduar gjatë ditës së djeshme, kur Gjesti është paraqitur në zyrat e kompanisë “Onima”, me të cilën ka pasur bashkëpunim për shpërndarjen e të drejtave digjitale para hyrjes së tij në formatin e njohur televiziv.
Për ata që e kanë ndjekur këtë histori, përplasja mes artistit dhe kompanisë nuk është e re. Edhe gjatë verës së kaluar, Gjesti ka shprehur publikisht pakënaqësinë e tij, duke hedhur akuza të forta ndaj “Onima”. Ai ka pretenduar se po përballej me padrejtësi serioze dhe se puna e tij po mbahej peng, aq sa kishte vendosur të mos publikonte më projekte të reja derisa të zgjidheshin çështjet që lidhen me të drejtat autoriale dhe kontrollin e monetizimit të kanaleve të tij.
Nga ana tjetër, kompania ka mbajtur qëndrimin se gjithçka buron nga kontrata të nënshkruara me vullnet të plotë dhe se zhurma publike e krijuar nga artisti ishte, sipas tyre, një përpjekje për të ushtruar presion dhe për t’u liruar nga marrëveshja jashtë rrugëve ligjore.
Mesa duket, përpjekja për të diskutuar këto çështje të mbetura pezull nuk ka shkuar siç pritej.
Sipas informacioneve të siguruara, debati në zyrat e kompanisë ka dalë nga kontrolli dhe në kulmin e tensionit është dëmtuar një kompjuter. Pikërisht ky moment ka bërë që drejtuesit e kompanisë të njoftojnë policinë, duke ngritur pretendime për kanosje dhe dëmtim prone.
Në fund, ndaj artistit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ecë më tej procedura dhe çfarë do të dalë nga hetimet zyrtare.
