Florjan Binaj duket se e ka shumë të qartë rrugën që do të ndjekë politikisht. I ftuar në late night show-n e ri të Andale Media, “Me nder jush”, aktori i njohur i humorit foli jo vetëm për karrierën e tij artistike dhe për emisionin e radios “Rikoshet”, që prej më shumë se 20 vitesh mban një lidhje të fortë me publikun, por edhe për ambicien e tij politike për Bashkinë e Tiranës.

Pyetja që ngjalli më shumë interes ishte ajo nëse do ta vazhdonte emisionin e radios në rast se një ditë do të zgjidhej kryetar bashkie. Përgjigjja e tij ishte në stilin e vet, e drejtpërdrejtë dhe me atë ironi që e karakterizon:

“Mendoj që nuk ka një ligj që e ndalon që një person që i përket jetës politike, qoftë si kryetar bashkie ose minibashkie ose diçka të ngjashme me këtë, jo më shumë se kaq,” tha Florjani.

Por edhe më e fortë ishte përgjigjja kur u pyet nëse do të rikandidonte për kryetar bashkie në Tiranë. Këtë herë, Binaj nuk la vend për hamendësime:

“Po. Po sepse herën e parë nuk është se u ndërpre prej meje, kështu që unë dua që këtë mundësi t’ia jap gjithë qytetarëve, zëri i të cilëve është i padëgjuar, ku mendimi ose jeta e tyre në qytet është e papërkrahur dhe pse jo të bashkohen shumë njerëz që e mendojnë si unë, që kanë arritur këtu ku janë si puna ime, dhe t’i japim për herë të parë kryeqytetit një grup njerëzish profesionistë që dinë të thonë dhe ‘jo’, që nuk janë aty për të grumbulluar vota, por janë aty për të grumbulluar aftësitë e tyre në të mirën e shërbimit të qytetit.”

Një deklaratë e qartë, që jo vetëm konfirmon rikthimin e tij në garë, por tregon edhe mënyrën si ai e sheh veten dhe ekipin që do të donte të sillte në krye të qytetit: jo si figurë simbolike, por si pjesë e një grupi profesionistësh që, sipas tij, do të mund t’i jepnin Tiranës një drejtim tjetër.

Duke u kthyer sërish te ideja se do të vazhdonte edhe radion, edhe nëse do të ishte në krye të Bashkisë, Florjani nuk e humbi rastin për të bërë edhe një thumbim politik, këtë herë ndaj kryeministrit:

“Për sa kohë nuk ka një ligj që e ndalon [do e bëj]… Po e dëgjoi tani këtë ai Pashai, nesër… [bën shenja që nënkuptojnë se do shkruajë në rrjetet sociale].”

Ai tha gjithashtu se synimi i tij mbetet kandidimi në vitin 2027, edhe pse e lidhi këtë me pasiguritë që mund të sjellin zhvillimet ndërkombëtare:

“Nëse do bëhen në 2027 [zgjedhjet, do kandidoj], tani nuk i dihet çfarë ndodh se me këtë luftën që po ndodh në Iran…”

Kujtojmë që Florjan Binaj e shpalli kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës në tetor të vitit 2025. Në atë kohë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e prezantoi kandidimin si një thirrje qytetare për ndryshim:

“Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët, sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës, duke dhënë gjithë veten time për të përfaqësuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar… Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen. Faleminderit!”

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në detyrë Erion Veliajn, Florjan Binaj reagoi duke e bërë të qartë se për të asgjë nuk kishte ndryshuar në thelb:

“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës, thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet, me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjësi dhe transparencë. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.”