
Blero Muharremi ka zgjedhur të flasë pa rezerva për një nga temat që ka sjellë më shumë komente rreth jetës së tij private: diferencën në moshë me partneren e tij, Eronitën.
I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, këngëtari i njohur kosovar ndau disa detaje nga marrëdhënia e tyre dhe nga mënyra si e përjeton gjithë vëmendjen që kjo histori ka marrë në rrjetet sociale. Në qendër të bisedës ishte pikërisht diferenca prej 17 vitesh mes tyre, një element që, sipas tij, nuk e ka penguar aspak funksionimin e çiftit.
Sipas Bleros, gjithçka nis te pjekuria e partneres dhe te mënyra si dy njerëz lidhen me njëri-tjetrin në jetën e përditshme.
“Eronita edhe pak i mbush 30 vjet dhe për moshën që ka është jashtëzakonisht e pjekur. Nuk mund të funksiononte me mua nëse nuk do të kishte qenë e pjekur në atë nivel,” u shpreh ai.
Pyetjes së Rudina Magjistarit nëse me kalimin e viteve kjo diferencë mund të zbehet apo të ndihmojë në raportin e tyre, Blero iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke dhënë edhe një mendim personal për dinamikën mes burrit dhe gruas në një lidhje.
“Për ne meshkujt është më mirë, në kuptimin që ke një partnere që është më e re dhe fizikisht është më mirë. Realisht unë mendoj që mashkulli duhet të jetë pak më i moshuar. Ndoshta ne kemi pak më shumë. Kjo është e natyrshme. Ama dashurisë nuk i dihet. Ne kemi 17 vite diferencë ama, kur të ulesh me ne mendon që jemi në të njëjtën moshë, nga muhabetet që bëjmë dhe mënyra se si jemi me njëri-tjetrin.”
