
Samanta Karavella, një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, ka folur për herë të parë hapur për jetën e saj në Shtetet e Bashkuara, për historinë e dashurisë me partnerin amerikan dhe për përvojën e mëmësisë që, sipas saj, i ka ndryshuar rrënjësisht jetën.
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, këngëtarja rrëfeu se historia e dashurisë me partnerin e saj nisi krejt rastësisht në New York, gjatë një prej udhëtimeve të saj në SHBA, ku shkonte herë si turiste e herë për koncertet e saj.
Ajo tregoi se lidhja në distancë që zgjati për rreth tre vite nuk ishte aspak e lehtë, ndërsa vendimi për t’u zhvendosur përfundimisht në SHBA ishte një hap i madh dhe i vështirë. Samanta zbuloi gjithashtu se çifti është tashmë i celebruar, por partneri i saj ka një dëshirë të veçantë: të organizojnë një dasmë në Shqipëri.
Duke kujtuar momentin e parë të njohjes, ajo tregoi me detaje:
“Unë fillimisht shkoja si turiste në Amerikë. Ndoshta e mendoja se në një të ardhme do të isha atje, por nuk është se kisha ndonjë vizion se e ardhmja ime do të ishte atje. Ndodhi një natë në një ditëlindje dhe ky ishte me shoqërinë e vet. Ai ishte përballë nesh, me miqtë e tij, dhe miku i tij tha a dëshiron të të ndihmoj për të bërë foton. I thashë ok, kur e pashë këtë mu duk sikur e kisha parë më parë. Rrinte më i tërhequr dhe thashë se më kë më ngjan. Nuk e njihja absolutisht. Kishte një ndrojtje që ishte shumë e bukur. E gjetëm një formë të komunikimit me njëri-tjetrin.
Ai më ka pyetur se si e ke emrin, ishte shumë zhurmë në fakt dhe i them që quhem Samanta, i them që jam artiste. Mendoi se isha piktore. Më thotë ke menduar të jetosh në Amerikë. I them jo, por si dihet asnjëherë. Shkëputet dhe lëviz me shoqërinë e vet. Ai po mundohej të gjente ku ishte unë, dhe i thashë vajzave se po shkoj në tualet por në fakt po shikoja ku ishte. Ishte e çuditshme. Ishte diçka aty. Më pas rishihemi në club me një komunikim të shkurtër dhe më tha se ka qejf të më takojë ndonjë ditë.
Më shkruan në Instagram që ishte kënaqësi që të pashë dhe doja të të takoja. S’i ktheva asnjëherë. Thashë çfarë do të bëj unë me këtë. Ai në New York, unë në Shqipëri. Pas pak muajsh kisha koncert në New York dhe më shkruan sërish. Aty i përgjigjem.”
Këngëtarja tregoi se periudha kur vendosi të provonte jetën në SHBA ishte një moment vendimtar për lidhjen e tyre. Bashkëjetesa solli edhe sfida, pasi për të ishte një eksperiencë krejtësisht e re.
“Shkova të jetoj me të për pak muaj. Gjithçka ndryshon aty sepse kur jeton me dikë është shumë më ndryshe dhe kishte diçka vështirësi. Se nuk kisha bashkëjetuar më parë. U ktheva sërish në Shqipëri dhe të mendoj se kjo është gjëja që unë dua. U ktheva prapë në Shqipëri, u riktheva prapë atje. Ai kishte menduar të bënte gjithçka sa më thjeshtë për mua. Pas pak muajsh më bëri propozimin, unë prapë me atë luhatjet e mia.”
Një tjetër kapitull shumë i rëndësishëm në jetën e saj është ardhja në jetë e vajzës së tyre, Gia, të cilën Samanta e cilëson si bekimin më të madh.
Ajo pranoi se fillimi i mëmësisë ishte shumë më i vështirë nga sa e kishte imagjinuar, sidomos për shkak të përballjes me ndryshimet emocionale dhe përgjegjësinë e madhe që sjell ardhja e një fëmije.
“Kishim në plan një fëmijë ishte momenti. Nuk është një gjë që e kërkoja me insistim, ishte fiks momenti që doja të kisha diçka se karriera asnjëherë nuk do të mbarojë”, tha këngëtarja për të bijën duke e cilësuar si bekimin më të madh, ndërsa shtoi:
“Ndryshimi i jetës sime brenda 24 orëve, ishte një transformim shumë i madh. Nuk e dija çfarë më priste. Kisha dëgjuar shumë që jeta të ndryshon, por nuk e kupton deri në momentin që e provon. Nuk kisha sensin e kohës, nuk e dija më kush isha, shikoja një fëmijë që ishte gjëja më e bukur në botë dhe në një farë mënyre nuk dija se çfarë do të bëja dhe se si do ia dilja mbanë.
Sepse ishim vetëm ne të dy, është fëmija i parë dhe vështirësitë priteshin që të ishin të mëdha. E gjetëm forcën të dy, mësuam të dy padiskutim, por nuk është vetëm kaq. Jeta ime ndryshoi! Thuhet që jeta e baballarëve nuk ndryshon sepse ata zgjohen dhe shkojnë në punë, ama jeta ime ndryshoi plotësisht sidomos si artiste.”
Sot, mes jetës në SHBA, familjes së saj dhe muzikës që vazhdon të mbetet pjesë e identitetit të saj, Samanta Karavella duket se ka gjetur një ekuilibër të ri. Dhe siç e thotë vetë ajo, ardhja në jetë e vajzës së saj ka qenë “bekimi më i madh në botë”, një kapitull që i ka dhënë kuptim të ri gjithçkaje.
