Një teaser i ri i “Euphoria” ka ndezur menjëherë komentet në rrjete, pasi fansat vunë re se Sydney Sweeney nuk shfaqet në një nga momentet më të komentuara të videos: një set fotografik me vajzat e kastit.

HBO Max publikoi të mërkurën një klip të shkurtër nga prapaskenat e sezonit të tretë, që pritet të dalë më 12 prill. Në fillim të videos, Zendaya, Hunter Schafer, Alexa Demie dhe Maude Apatow shihen duke qeshur dhe pozuar bashkë për fotosesionin, por Sweeney mungon dukshëm nga ky grupim.

Aktorja, megjithatë, shfaqet në teaser, por vetëm në një kuadër të vetme, ku shihet duke buzëqeshur në një pamje solo. Në video bëhet një paraqitje e shkurtër edhe e Jacob Elordi. Klipi shoqërohet me mbishkrimin: “Të marrësh momentet më të vogla dhe t’i ëndërrosh në diçka më të madhe”.

Mungesa e saj në foton e grupit mjaftoi që rrjetet të nisnin interpretimet, sidomos për shkak të zërave që kanë qarkulluar prej muajsh për një krisje mes Zendaya-s dhe Sweeney-t. Në komente, disa përdorues e lexuan si “mesazh” nga vajzat e kastit, duke bërë shaka se “s’po bëjmë foto grupi me të”, ndërsa të tjerë e pritën me entuziazëm faktin që ajo s’ishte në kuadër.

Por sipas informacioneve që i janë dhënë Page Six, kjo mungesë nuk ka lidhje me ndonjë konflikt. Burime pranë produksionit thonë se fotosesioni është xhiruar në një moment kur Sweeney ishte e angazhuar duke xhiruar një skenë tjetër, ndaj nuk u përfshi në atë pjesë të prapaskenave.

Thashethemet për “feud” u përforcuan në nëntor 2025, kur Daily Mail raportoi se dy aktoret ishin në një marrëdhënie të acaruar për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike. Në të njëjtën periudhë, emri i Sweeney-t u përfshi në polemika edhe për një fushatë reklamuese të American Eagle, që disa kritikë e interpretuan si problematike. Po ashtu, u përfol se Zendaya nuk donte të bënte promovim bashkë me të dhe se të dyja shmangnin qëndrimin pranë njëra tjetrës në evente.

Vetë Sydney Sweeney, ndërkohë, ka reaguar më herët ndaj etiketimeve politike që i janë bërë. Ajo ka thënë se nuk ka qenë kurrë aty për të folur për politikë, por për të bërë art, dhe se shpesh njerëzit e përdorin si “pion” për narrativat e tyre. Ajo ka theksuar gjithashtu se nuk është njeri “urrejtës” dhe se, kur temat janë të ngarkuara politikisht, shpesh “s’ka fitues” në mënyrën si trajtohen publikisht.

Për momentin, teaser-i i “Euphoria” bëri atë që di të bëjë më mirë: ndezi kuriozitetin dhe diskutimet para premierës. Dhe nëse mungesa e Sweeney-t ishte thjesht rastësi xhirimesh, rrjetet gjithsesi e kthyen në “histori” brenda pak minutash.