Selena Gomez dhe Benny Blanco prej kohësh janë më shumë në fokus për lidhjen e tyre sesa për punën që bëjnë. Çifti ka marrë kritika të vazhdueshme, herë nga ata që ende ëndërrojnë “Jelena”, rikthimin e pamundur të Selena-s me Justin Bieber-in, e herë nga ata që çdo video të tyre e lexojnë si provë të një “dashurie të rreme”. Edhe pse të dy janë tashmë të martuar, kjo fantazi vazhdon të ushqejë një pjesë të rrjeteve.

Episodi i fundit që ndezi komentet ndodhi gjatë podcastit të Benny Blanco-s, “Friends Keep Secrets”. Gjatë një bisede me dy miq të tij, Selena i dha një puthje të lehtë në këmbë bashkëshortit dhe menjëherë pas kësaj i kërkoi të mos e bënin temë diskutimi, sikur ta dinte paraprakisht se reagimi online do të ishte i ashpër. Benny u duk i zënë ngushtë, por edhe i kënaqur, duke thënë se i pëlqeu dhe se e bëri të ndihej mirë, ndërsa i shprehu edhe dashurinë.

Ndryshe nga ata që ishin në studio dhe e kaluan momentin si një gjest të zakonshëm intimiteti, interneti e ktheu menjëherë në skandal. Shkëndija kryesore nuk ishte thjesht puthja, por fakti që shumë komentues u fokusuan te një detaj banal dhe i pamëshirshëm: këmbët e pista të Blanco-s në video.

Në X, reagimet u mbushën me gif-a neverie dhe “cringe”, me njerëz që e tallnin Selena-n, e gjykonin, ose refuzonin të besonin se skena ishte reale, duke hedhur dyshime se mund të ishte AI. Të tjerë u kthyen te pyetja klasike që e ndjek këtë çift: “Çfarë sheh ajo te Benny?” Mbështetja për ta ishte më e pakët, por jo inekzistente. Disa e morën me humor, duke ironizuar se “vajzat e bëjnë kur dashuria është shumë e thellë”, ndërsa të tjerë pranuan se, pavarësisht se gjesti mund të duket i sikletshëm, dyshja të paktën duket se ndihen mirë bashkë.

Por, pyetja e vërtetë është: a e kemi humbur mënyrën si e kuptojmë dashurinë, kur gjykojmë marrëdhëniet vetëm nga pamja dhe “estetika” e tyre? Shumë nga kritikat ndaj Selena-s dhe Benny-t, sipas këtij këndvështrimi, kanë në bazë atë që quhet “beauty gap”, ideja sikur nëse dy njerëz nuk janë “në të njëjtin nivel bukurie”, lidhja nuk mund të jetë e vërtetë. Dhe pikërisht kjo logjikë e sipërfaqshme ushqen edhe reagimin ndaj puthjes: shoqëria, edhe një herë, vendos estetikën mbi gjithçka tjetër.

Në një kohë kur filmat romantikë, librat rozë dhe fanfiction-et kanë ndërtuar një model artificial të “dashurisë ideale”, publiku duket se e pret romancën si skenar: partneri duhet të jetë i bukur, i “vështirë” pak, me debate të përditshme dhe me një “transformim” në fund. Ndërsa realiteti është shumë më i thjeshtë dhe shumë më i çrregullt. Dashuria, në thelb, nuk është foto perfekte, por besim, respekt dhe afeksion në forma që nuk i përshtaten gjithmonë kornizave.

Për këtë arsye, ajo që ndodhi mes Selena Gomez dhe Benny Blanco-s mund të shihet jo si diçka për t’u gjykuar, por si një kujtesë e vogël se dashuria nuk ka vetëm një formë. Edhe vetë fakti që ata nuk e hoqën skenën nga podcasti, megjithëse e dinin se do të shpërthente interneti, duket si një qëndrim i qartë: jo çdo gjest duhet të duket “cool” për të qenë i sinqertë.

Ndoshta problemi nuk është puthja në këmbë. Ndoshta problemi është mënyra si ne, online, e kemi kthyer dashurinë në një konkurs estetik dhe çdo marrëdhënie në një gjyq publik.