
Gjatë Paris Fashion Week për sezonin vjeshtë/dimër, shtëpia franceze e modës Chanel prezantoi një koleksion këpucësh që vazhdon linjën klasike të brandit, duke e përshtatur me stilin bashkëkohor.
Në pasarelë dominuan “slingback”-et ikonike me majë kontrastuese, balerinat e rafinuara, si dhe çizmet e gjata deri te gjuri me taka elegante. Paleta e ngjyrave ishte ajo klasike dhe neutrale, e zezë, bezhë, gri dhe kafe.
Megjithatë, nuk munguan as detajet metalike, zinxhirët dekorativë apo rripat e hollë që shtonin karakter. Materialet përfshinin lëkurë cilësore, “tweed”-in karakteristik të Chanel dhe tekstile të buta, të cilat kombinohen lehtësisht me veshjet e përditshme dhe ato më formale.
Një element i rëndësishëm ishte fokusi te rehatia dhe funksionaliteti. Takat ishin kryesisht të ulëta ose mesatare, duke reflektuar trendin aktual të “elegancës praktike”, këpucë që mund të vishen gjatë gjithë ditës.
Këto modele pritet të ndikojnë fort në trendet e sezonit, pasi jo vetëm që përfaqësojnë një stil të përjetshëm që nuk del nga moda, por edhe përfaqësohen nga shtëpia ikonike e modës, Chanel.
