Pas largimit nga emisioni i mëngjesit, Enxhi Nasufi duket se po jeton një periudhë më të qetë, më personale dhe më të fokusuar te vetja. Prezantuesja dhe artistja, që disa muaj më parë u kthye në një nga emrat më të komentuar për shkak të shkëputjes nga formati i mëngjesit, ka zgjedhur që këtë kohë ta përdorë për relaks, kujdes dhe rigjenerim.

Së fundmi, Enxhi nuk i ka shpëtuar pyetjeve për programin që la pas dhe për vajzën që sot mban vendin e saj në karrigen e mëngjesit, Heidi Baçin. Dhe përgjigjja e Enxhit ka qenë e qartë, e qetë dhe sportive.

Ajo u shpreh se pavarësisht largimit, ruan ende vlerësim maksimal për Top Albania Radio, që sipas saj mbetet një nga institucionet më të mira në treg. Madje, tregoi se frekuencat e radios vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së saj, edhe tani që nuk është më aty.

Sa i përket Heidit, e cila tashmë zgjon publikun shqiptar krah Blendi Salajt, Enxhi zgjodhi të flasë me vlerësim dhe pa asnjë ngarkesë. Me humor, ajo pranoi se nuk arrin ta ndjekë çdo ditë emisionin me përpikëri, sepse më në fund po rikuperon gjumin e humbur të atyre mëngjeseve të hershme. Por kjo nuk e pengoi të vlerësonte pasardhësen e saj.

“Heidi është shumë pozitive, e buzëqeshur, cilësi shumë e mirë për vajzë ekrani. Do uroja t’i merrte më të mirën,” u shpreh Enxhi.

Më tej, ajo u ndal edhe te vetë eksperienca e një formati të tillë, duke nënvizuar se radioja është një shkollë më vete. Sipas saj, është pikërisht aty ku fiton shpejtësi, sportivitet në komunikim dhe aftësi për të reaguar menjëherë.

Në këtë kuptim, Enxhi la të kuptohet se Heidi ka shumë për të marrë nga ky rrugëtim, sidomos në atë që ajo e sheh si thelb të këtij profesioni: disiplinën, profesionalizmin dhe dinamikën në të folur.